Podesta, 720 mijë dollarë në vit

30/01/2013 00:00

Kontrata e lobimit me Patton Boggs nuk është e vetmja që qeveria shqiptare paguan me paratë e qytetarëve për të patur akses në politikën amerikane.

Në prill të vitit të kaluar Këshilli i Ministrave ka nënshkruar një marrëveshje tjetër lobimi, me një tjetër kompani. Këtë herë bëhet fjalë për Podesta Group. Kontrata ka afat 1-vjeçar dhe mbaron në 31 mars të këtij viti.

Sipas marrëveshjes të publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, shërbimi që Podesta do të kryejë për qeverinë shqiptare është i njëjtë, lobim në Shtetet e Bashkuara.

Siç thuhet në kontratë kompania Podesta merr përsipër të kryejë shërbime avokatie me qëllim fuqizimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po kështu Podesta ka marrë përsipër të ndihmojë në gjetjen e financimeve nga institucionet donatore ndërkombëtare me bazë në Shtetet e Bashkuara. Në këmbim qeveria shqiptare i paguan kompanisë Podesta, 60 mijë dollarë në muaj plus shpenzimet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Pra një marrëveshje me vlerë 720 mijë dollarë, pa shpenzimet shtesë, që në thelb të saj ka të njëtin qëllim me atë të lidhur në fund të vitit të kaluar me kompaninë tjetër lobuese Patton Boggs.

Historia e pagesave të majme për lobimet nga qeveria shqiptare nisi në vitin 2007, kur Këshilli Ministrave nënshkroi një kontratë 500 mijë dollarë me kompaninë Euro Ridge, që drejtohej nga Tom Ridge, Sekretari për Sigurinë e Brendshme në Shtetet e Bashkuara dhe më vonë i pajtuar nga qeveria shqiptare e demokratëve si konsulent.

Që nga ajo kohë kontratat për lobim dhe kurimin e imazhit të qeverisë shqiptare në sallonet e politikës amerikane kanë vazhduar viti pas viti. Në 2009 del në skenë Patton Boggs që merr kontratën e parë prej 200 mijë dollarë, që u pasua nga dy të tjera në vitin 2010 dhe 2011 me vlerë respektive 240 dhe 200 mijë dollarë të tjera.

Kontrata e fundit është lidhur vetëm pak muaj më parë me Patton Boggs, vlera e së cilës ende nuk dihet dhe nuk është publike. Por nëse edhe kjo kontratë ka të njëjtën vlerë sikurse kontratat e mëparshme, pra të paktën 200 mijë dollarë, zyrtarisht qeveria shqiptare paguan dy kompani, me një shumë totale prej 900 mijë deri në një milion dollarë në vit për lobim në Shtetet e Bashkuara.

Miliona dollarë nga paratë e buxhetit dhe taksapaguesve që shkojnë për kompanitë lobuese, në kushtet e krizës së rëndë ekonomike dhe gjendjes së vështirë të buxhetit, një nga qëllimet kryesore të së cilave janë shërbimet e makiazhit për qeverinë shqiptare në administratën e Shteteve të Bashkuara.

Në optikën e këtyre dy kontratave, është i paqartë se cili është roli i Ambasadës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sa kohë që të gjitha marrëdhëniet politike, ekonomike, madje edhe imazhin e Shqipërisë tashmë e kanë në duar dy kompani lobimi që mund të quhen edhe si “Ambasadat hije shqiptare” në Uashington.

Reagon PS: Lobim me paratë e taksapaguesve

Top Channel