Rama: Sigurim jete për çdo uniformë blu

29/01/2013 00:00

Krahas prezantimit të programit për rendin, opozita nuk ka lënë jashtë
vëmendjes edhe gjendjen në të cilën ndodhen familjet e policëve të rënë
në krye të detyrës.

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vizituar familjen e ish-punonjësit të policisë Baftjar Gremshit, në qytetin e Beratit, i rënë në krye të detyrës dhe i shpallur ‘Dëshmor i Atdheut’.

“Është e pakonceptueshme dhe e patolerueshme që janë vrarë kaq shumë oficerë policie dhe njerëz me uniformë. Eshtë e  njëjta situatë në shumicën dërrmuese të familjeve të policëve të vrarë, që gratë pa punë, familjarë të tjerë pa punë, gjendje varfërie dhe pamundësie për të cuar përpara jetën, prandaj duhet të bëjmë cmos të shohim mundësinë që të ketë një sigurim për jetën të cdo njeriu që është me uniformën e policisë”, tha Rama.

“Blindim të votës më 23 qershor”

Rama është takuar në qytetin e Beratin edhe me të zgjedhurit vendorë, ku ka diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve të 23 Qershorit dhe strategjine e miratuar në Asamblenë Kombëtare për ruajtjen e votës së shqiptarëve. “Për cdo shqiptar që kërkon ndryshimin, u shpreh Rama, lind nevoja jo vetëm e ruajtjes së votave, por blindimi i tyre”.

“Nuk ka asnjë bazë, psikoza e vjedhjes si e tillë në rast se njerëzit që janë të shqetësuar për mbrojtjen e votës, bëhen pjesë e procesit të garantimit të votës së tyre, duke votuar pa diskutim, por duke e blinduar votën e tyre me rritjen e pjesëmarrjes secili që bashkë me votën e vet sjell edhe një votë tjetër të dikujt në familje që zakonisht nuk voton, të dikujt në shkallën e pallatit apo në rrugicën ku banon, praktikisht blindon votën e vet”, tha Rama.

Top Channel