Braçe: Ja projekti në Porto Romano

29/01/2013 00:00

Emri biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i akuzuar nga opozita se
ka përfituar favore nga Qeveria,  rikthehet përsëri në vëmendjen e
politikës shqiptare.

Deputeti socialist Erion Brace, i njohur si një denoncues i pandalur i veprimtarisë së Fazlliç në vendin tonë, nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se ky biznesmen në pronën që ka marrë në Porto Romano, ka bërë gati projektin për të ndërtuar një terminal gjigand nafte. Sipas Braçes, terminali do të ndërtohet në një sipërfaqe prej mijëra metrash katrorë.

“Ky është projekti i “Crown Aquisitions”, kompanisë së Damir Fazlliç. Terminali i nënprodukteve të naftës në Porto Romano”, thotë Braçe i cili ka postuar edhe një kopje të projektit në Facebook. Deputeti socialist jep disa të dhëna. Terminali do të shtrihet në 80 mijë metra katrorë dhe do të shërbejë për çdo gjë: naftë, benzinë, gaz, karburant për avionë. E gjithë infrastruktura,- sqaron Braçe – do jetë në funksion edhe të tij, rrugë, deri linja e re hekurudhore. Pas këtij fakti të ri thotë Braçe bëhet edhe më e mprehtë pyetja për pronësinë mbi 80 mijë metra katrorë tokë, drejtuar zonjës Argita Berisha.

Për mënyrën se si Fazllic u bë pronar i kësaj toke, Erjon Braçe i ka drejtuar disa pyetje vajzës së Kryeministrit, zonjës Argita Berisha Malltezi. “Si e siguroi këtë tokë Damir Fazlliç? E bleu? Si e bleu? Ai është shtetas i huaj? Mos vallë e keni blerë ju zonjë e më pas ai nga ju? Por, përsëri, a ka mbështetje ligjore kjo?” pyet Braçe.

PD: Rama, trego koston e pallatit-pajë

Ndërkohë Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj ka kërkuar sërish bërjen transparente të financave me të cilat është mbuluar kostoja e ndërtimit të ndërtesës së re të gruas së kryeut të opozitës. Sipas kësaj partie ka dyshime se këtu jane pastruar paratë e vjedhura.

“Zoti Rama, ka dyshime të forta se në pallatin-pajë, ju personalisht keni larë paratë e gjobave qe u keni vënë ndërtuesëve, prandaj ju ftojmë që në përputhje me kodin tatimor dhe ligjin e lëvizjes së vlerave monetare, të bëni publike faturat tatimore dhe numrin e llogarisë dhe bankën në të cilën kanë qenë të depozituara paratë e pallatit në paje, në rast se ato nuk janë para të pista gjobash të vendosura nga ju ndërtuesve të Tiranës apo perfitime tuaja nga  grupe kriminale. Zoti Rama, Partia Demokratike ju rikujton se ligji per deklarimin e pasurive, kërkon nga ju të tregoni cmimin e vërtetë të blerjes së 8 mijë metër katrorë  tokë në malin e Dajtit, pasi cmimi qesharak prej 1,3 euro metrin katror apo 200 lekë në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë sipas dokumentave zyrtare, jo 2 dollarë sic e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, dëshmon se ju i fshihni para tatimeve të vendit dhe ILDKP-së, shumën e vërtetë të parave të blerjes së truallit te sarajeve tuaja. Edhe një herë zoti Rama Partia Demokratike ju rikujton se transparenca është detyrim i prerë ligjor. Asaj  i fshihen vetëm ata që kanë frikë nga pasuria e tyre!”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Top Channel