Rikthimi i ligjit për nënpunësit civilë për shqyrtim në komisionin parlamentar të ligjeve, ka rikthyer akuzat mes palëve për bllokimin e proçesit të integrimit.

Projektligji është pjesë e tre drafteve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend dhe që ishin ndër kërkesat e Brukselit për statusin e vendit kandidat.

Opozita përmes Fatmir Xhafës tha se janë mashtruar shqiptarët se ligjet kanë qenë gati për t’u votuar.

Por përfaqësuesit e mazhorancës e cilësuan alibi për të mos votuar një nga ligjet e integrimit, pasi ligji sipas tyre ka ardhur për t’u përmirësuar pas vërejtjeve të bëra nga opozita.

Ata e akuzuan këtë të fundit për bllokim të statusit, ndërsa socialistët rikujtuan se përmes shkeljes së ligjit në qarkun Fier ishte mazhoranca që sipas tyre bllokoi proçesin.

Pas akuzave të përsëritura, mazhoranca miratoi me votat e saj ligjin për nënpunësin civil, pas largimit të opozitës që e cilësoi ate në shkelje të rregullores.

Top Channel