Kush do të fitojë zgjedhjet në 2013?

28/01/2013 00:00

Megjithëse duhen thuajse 5 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, partitë politike prej kohësh kanë ndezur motorët  e fushatës elektorale.

Kush do të fitojë zgjedhjet e 23 Qershorit? Si po shkohet me to? Cilat janë skenaret e mundshme të koalicioneve? Ky ndryshojnë zgjedhjet e këtij viti nga ato të 2009-ës? Si po përgatiten zgjedhjet?

Këto e të tjera pyetje u mundua t’u japë përgjigje emisioni “Shqip” me Rudina Xhungën në Top Channel, ku të ftuar ishin katër analistë të njohur të politikës; Lutfi Dervishi, Henri Çili, Eduard Zaloshnja dhe Shpëtim Nazarko.

Lidhur me nisjen e parakohëshme të fushatës elektorale, analisti Dervishi i faturoi një pjesë të fajit edhe vetë medias. Sipas tij, kjo e fundit duhet të kuptojë se jo cdo konferencë për shtyp përbën lajm. Ndërsa analisti Henri Çili komentoi sloganin e zgjedhur nga Partia Demokratike. Sipas tij, me këtë slogan, PD synon të mbajë situatën aktuale, të mbajë këtë gjendje, duke u thënë qytetarëve  se ajo është ndryshimi.

Për analistin Shpëtim Nazarko media nuk mund të ndalojë nisjen e fushatës, por ajo që mund të bëjë është heqja e asaj që ai e quajti banalitet politik nga normaliteti politik. Për Eduard Zaloshnjën për sa kohë është Sali Berisha në politikë vendi është në fushatë të përherëshme.

“Po të kesh Berishën në politikë, ka fushatë të përhershme. Cdo mbledhje qeverie, cdo mbledhje e grupit parlamentar, Kuvend e kudo ai sulmon kundërshtarin. Praktikisht kjo bëhet për fushatë dhe nuk merret me problemet reale”, tha Zaloshnja.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kreu i saj, Edi Rama paraqiti të dhëna të siguruara nga një sondazh i socialistëve, ku sipas tyre opozita udhëheq bindshëm në pjesën më të madhe të rretheve dhe ka ngushtuar ndjeshëm diferencat në zonat e njohura si bastione të Partisë Demokratike.

Duke komentuar këtë sondazh të bërë publik nga Rama, analisti Henri Çili tha se është një sondazh i bërë publik në kuadrin e një deklarate politike. “Ajo që më bën përshtypje nga deklarata e Ramës, shtoi ai, është pjesa “që të bëjmë njerëzit të besojnë”. Kjo është sfida e dyfishtë që ka Rama, kësaj radhe”, shtoi ai.

Ndërsa Lutfi Dervishi u ndal tek sistemi, që sipas tij nuk lejon krijimin e mazhorancave të mëdha. “Sistemi nuk lejon mazhoranca të mëdha. Mazhoranca gjithmonë do të jetë e dobët dhe opozita do të jetë e fortë. Përgjithësisht është një votues pragmatik që nuk lëviz shumë. Ajo që e bën betejën e ashpër është që diferenca nuk do të jetë e madhe”, tha Dervishi.

Eduard Zaloshnja u ndal tek marzhi i gabimit të sondazhit. “Sondazhet kanë një marzh gabimi nga 2.5 deri në 5 përqind. Rama e tha në prani të mediave dhe i tha për konsum, por Berisha dhe aleatët morën 46.9 përqind të votës popullore në 2009 dhe duke patur parasysh që shumë faktorë janë shtuar nga zgjedhjet e atij viti..”, tha Zaloshnja duke nënkuptuar se fitorja e opozitës është e mundëshme.

Por Shpëtim Nazarko u ndal të administrimi i zgjedhjeve. Sipas tij, përsa kohë proceset zgjedhore administrohen nga politika, s’mund të flitet për sondazhe për shkak të manipulimeve.

“Shqip” solli në lidhje telefonike edhe kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule. I pyetur mbi mungesën në tryezën e PS-së me Aleatët, Dule tha se ajo nuk mund të quhet më surprizë. Kreu i PBDNJ-së shtoi se partia e tij nuk do të jetë në koalicion me PS-në për shkak se nuk ndajnë të njëjtën frekuencë në disa qendrime, por premtoi se partia e tij është në opozitë.

“Nuk është lajm dhe e papritur. PBDNJ prej një kohë të gjatë nuk është pjesë e tryezës së koalicionit të Partisë Socialiste. Jemi në opozitë, por nuk jemi në të njëjtën frekuencë qendrimesh politike me PS”, tha Dule.

Dule shtroi nevojën e krijimit të një koalicioni të qendrës me partitë që mbesin jashtë dy poleve të politikës. Ai nuk përjashtoi koalicionin me FRD-në, nëse do t’i jepej mundësia, por refuzoi hyrjen në të njëjtin koalicion me Aleancën Kuqezi.

Çili vlerësoi se do të ishte mirë që pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të ishte mirë të formohej një mazhorancë e qendrueshme politike, në gjendje të ndërmerrte 2-3 reforma të nevojshme si dhe për të votuar ligjet e integrimit. Megjithatë, Çili ashtu si Dule shtoi se një koalicion i qendrës do të ishte i nevojshëm për zbutjen e diskursit politik.

Një ndër partitë që mund të jetë faktor në ndërtimin e pushtetit pas 23 qershorit është LSI. Aktualisht kjo parti nuk është e përfshirë në asnjë koalicion. Mospërfshirja e saj me PD dhe PS, për Lutfi Dervishin do të shpëtonte këto dy të fundit. Sipas tij, në të gjitha sondazhet, LSI tregohet më poshtë FRD-së dhe AK-së.

Në fund, analisti Eduard Zaloshnja referuar vendimin e KQZ-së për mosndarjen e mandateve, apo për ndarjen e mandatave në bazë të regjistrit të 2009, shtoi se ka një ofensivë juridike të qeverisë për të fituar ku të jetë e mundur me akrobaci juridike. Kjo, sipas tij, është shenjë që do të kemi një rotacion të pushtetit dhe me një epërsi numerike të ndjeshme.

Top Channel