“Lufta” e ftohtë me Serbinë

24/01/2013 00:00

Një ditë pas takimit me drejtuesit e Partisë Socialiste, ku u fol për
situatën në Preshevë dhe përgatitjen e zgjedhjeve në Shqipëri,
ambasadori amerikan Aleksander Arvizu ka vijuar takimet për të njëjtat
çështje me kreun e Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi.

Situata në Preshevë është konsideruar prej tyre pas takimit si e papranueshme, por Topi e Arvizu dhanë mesazhin se Tirana zyrtare nuk duhet të ndërpresë komunikimin me Beogradin dhe se drejtuesit ne kryeqytetin shqiptar, duhet te heqin dore nga retorikat nacionaliste.

Madje, ambasadori amerikan i shtoi kësaj se vendi ka hyrë në një klimë zgjedhjesh.

“Ajo qe ka rendesi eshte qe Prishtina dhe Beogradi te vazhdojne dialogun. Shqiptaret e dine qe jetojne ne shume zona ne rajonin e Ballkanit, por ata shohin tek Tirana, tek Qeveria e saj, tek liderët drejtimin e tyre. Eshte absolutisht e rendesishme qe te ndodhe integrimi i Ballkanit perendimor. Duhet nje lidership pozitiv nga Tirana. Prandaj eshte e rendesishme t’i rezistohet tundimit per t’u angazhuar ne retorika nacionaliste, veçanerisht ne  klimen e zgjedhjeve, pasi kjo vetem ben qe te heqim vëmendjen nga qellime me te rendesishme, qe jane qellime qe te gjithe shqiptaret bashkendajne”, tha Arvizu.

“Duhet patjetër që komunikimi të mos ndërpritet, mungesa e komunikimit nuk i shërben asgjëje. Do të thoja që në këtë kuadër qoftë Qeveria shqiptare duhet të vazhdojë komunikimin me Qeverinë serbe, që gjërat të shtrohen të diskutohen, por nga ana tjetër dhe të inkurarojnë bisedimet Prishtinë-Beograd, duhet që të futet si çështje edhe fati dhe standardet e sjelljes së Qeverisë serbe me qytetarët shqiptarë në Preshevë”, tha Topi.

Topi: KQZ-ja duhet të marrë në dorë rolin e saj për procesin

Ndersa ambasadori amerikan shmangu deklaratat për tensionin e rritur për përgatitjen e zgjedhjeve në Shqipëri, kreu i FRD-së tha se duhet të lihet KQZ-ja të marrë në dorë administrmin e zgjedhjeve të lira, për të mundësuar atë që sipas tij është nevoja më e madhe e vendit, rrotacioni politik.

“Së paku administrimi duhet të jetë i tillë, që shqiptarët të ftohen, të jenë pjesëmarrës në zgjedhje, sikur është interesi i tyre, se po të jetë për interes politikanësh, duhet që ta shohin veten 100 vjet në një karrike. Ne jemi në parim për rrotacion, jo thjesht për të ikur një individ, për të ardhur një individ tjetër, por Shqipëria ka nevojë për rrotacion elitash, për gjenerata të reja. Tek e fundit Shqipëria nuk është vetëm e një apo dy individëve, Shqipëria është e të gjithëve”, tha Topi.

Top Channel