Hapësira e përbashkët mediatike

24/01/2013 00:00

Neni 76 dhe 108 i projekt-ligjit për mediat audiovizive të sapo miratuar në Komisionin e Medias hedhin poshtë deklaratën e kreut të qeverisë Sali Berisha për krijimin e një hapësire të përbashkët shqiptare për valët e transmetimit televiziv, ku radio-televizioni shqiptar duhet t’u krijojë lehtësira mediave të Kosovës për vendosjen e repetitorëve për transmetim.

Deputeti Alfred Dalipi tha se me vota unanime në Komision u vendos që të gjithë operatorët kanë të drejtë të konkurojnë në kushte të barabarata, kundër tarifave të përcaktuara.

“Transmetuesit publikë të gjitha kapacitetet teknike ia vë në dispozicion operatorëve komercialë privatë kundrejt tarifave të shërbimit në mënyrë transparente dhe konkuruese, që do të thotë se të gjithë në treg do të jenë të barabartë dhe përsëri këtu transmetuesi publik është i pavarur nga vendimmarrja e qeverisë”, deklaroi deputeti socialist.

Dalipi tha se deklaratat e kryeministrit kanë qenë tërësisht politike.

“Ligji i jep edhe deklaratës së kryeministrit që ka qenë një deklaratë tërësisht për konsum politik, tërësisht klienteliste. Neni 76 thotë tekstualisht që AMA ka të drejtë të vendosë detyrime të arsyeshme për transmetime të programeve audio ose audiovizive me rëndësi publike pa pagesë me qëllim marrjen e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, kombëtar, lokal dhe rajonal. Në total, i gjithë shqetësimi i ngritur në prizmin politik të kryeministrit, merr përgjigje me këtë ligj. Ne thamë që ligji do të krijojë hapësira dhe qeveria nuk ka rol në këtë mes”, shtoi zoti Dalipi.

Gjatë seancës së të enjtes deputetët kanë diskutuar kapitullin mbi menaxhimin e Radio-televizionit Shqiptar dhe pavarësinë që ai duhet të ketë, një pikë e debatueshme mbetet pavarësia editoriale por edhe transparenca në cështjet e financimit.

Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit të Medias: Paratë e tjera nuk dihet se ku kanë vajtur dhe ato janë taksa që i kanë paguar njerëzit dhe në vitin 2012 vetëm 50 përqind. Nëse ka ndonjë gjë këtu që duhet të forcohet, atë taksë që publiku e paguan për RTSH duhet t’i shkojë 100 përqind RTSH-së, ashtu sic mblidhet.

Mark Marku, anëtar i Komisionit, deputeti i PD: RTSH duhet të ketë debat politik, por jo propagandë politike. Dokumentarët që do të realizohen në Shqipëri që mbulohen nga RTSH, investime të kësaj natyre nuk duhet të ketë. Kështu që duhet caktuar që fondi të bëhet vetëm për prodhime, vetëm për prodhime që TVSH me kapacitetet e veta nuk mund t’i prodhojë.

Ditën e martë pritet të nisin diskutimet për nenet e fundit të këtij projektligji që lidhet me transmetimet numerike.

Top Channel