Trojka e ambasadorëve takon Ramën

23/01/2013 00:00

Takimi i parë i trojkës së ambasadorëve në selinë rozë, për vitin 2013,
me kreun e opozitës Edi Rama i është dedikuar fazës parapërgatitore të
zgjedhjeve të qershorit për të cilën PS ka paraqitur një sërë
shqetësimesh.

Në fund të takimimit, kërkuar nga Rama, që ka zgjatur 60 minuta, foli ambasadori OSBE-së Eugen Wollfarth, të cilin Top Channel e pyeti, se cilat ishin shqetësimet e paraqitura nga shefi opozitës.

“Përgatitjet e zgjedhjeve sipas ligjit janë shumë të rëndësishme. Jo vetëm PS duhet të jetë e interesuar për elementë që lidhen me identifikimin elektronik të kartave dhe numërimin që do të përfshihen në proces. Të gjitha përgatitjet duhet të zhvillohen në një atmosferë konstruktive. Çdo zhvillim me qasje pozitive gëzon mbështetjen tonë, pasi është me rëndësi për zhvillimin e shqipërisë në të ardhmen, gjithashtu për integrimin e vendit në strukturat ekzistuese në Europë. Ne patëm një bashkëpunim konstruktiv me kryetarin e PS-së, Edi Rama për këto çështje. Do të ishim të dekujaruar nëse do të kishte dicka që do të çonte në një atmosferë më pak konstruktive apo jo konstruktive”, tha Wollfarth.

I pyetur nëse tre ligjet e pa miratuara të integrimit ishin pjesë e bashkëbisedimit me Ramën, kreu i delegacionit të BE-së,. Ettore Sequi u përgjigj se nuk është biseduar për këtë çështje. Rreth takimit me trojkën e ambasadori foli edhe kryetari PS-së Edi Rama.

“Ndamë shqetësimet dhe opinionet për cka ndodhi në Preshevë dhe për qasjen tonë, si dhe për cka po ndodh me procesin e përgatitor për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet e ardhshme të jenë momenti i mbylljes së një kapitulli të stërgjatur farsash elektorale dhe i hapjes së një kapitulli, ku është populli që vendos së nga kush qeveriset dhe jo qeveria që nuk lejon popullin të zgjedhë”, tha Rama.

Ne jemi në sintoni të plotë,  theksoi Rama, me interesin kombëtar dhe interesin ndërkombëtar qoftë për sa i përket të sotmes dhe të nesërmes të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon qoftë edhe për zgjedhjet.

Top Channel