Në 23 prill të vitit 2009 Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi me votat e maxhorancës kontratën e privatizimit të shpërndarjes së energjisë. Kjo ishte hallka e fundit ligjore që transferoi monopolin e shpërndarjes së energjisë nga shteti tek kompania çeke CEZ.

Vetëm 5 ditë më vonë kryeministri Sali Berisha mbërriti në pallatin qeveritar në Pragë, ku i dorëzoi homologut të tij çek të asaj kohe, Mirek Topolanek, kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në atë kohë Çekia, e cila mbante presidencën e radhës të BE-së, u zotua se do të bëhej avokatja e Shqipërisë në proçesin e integrimit. Marrëveshja e heshtur ishte finalizuar.

Qeveria shqiptare i dha një kompanie çeke monopolin më të rëndësishëm në vend, ndërsa Praga kishte pranuar të merrte në dorëzim një kërkesë të parakohshme, duke dhënë garanci se do të lobonte për realizimin e ëndrrës shumëvjecare të shqiptarëve, antarësimin në BE. Nga ajo kohë kanë kaluar rreth 3 vjet e gjysmë.

Shqipëria është ende jashtë dyerve të Bashkimit Europian, ndërsa pak ditë më parë Enti Rregullator i Energjisë vendosi të heqë liçencën e CEZ. Përveçse vulos dështimin e privatizimit më të rëndësishëm strategjik në vend, vendimi i Entit shënoi dhe fundin e marrëvshjes së Pragës. Gjithçka përfundoi aty ku kishte nisur, por me një ndryshim.

Loja e qeverisë me Çekinë mund t’u kushtojë shqiptarëve shumë shtrenjtë. Vendi, që dikur premtonte se do të antarësonte Shqipërinë në BE, tani është shndërruar në kërcënimin më të madh të ëndrrës së integrimit. Dhe këtu s’ka më dyshime.

Një ditë më parë kryeministri çek Peter Necash kërcënoi haptazi kur tha se Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen e Shqipërisë ndaj një investitori çek në kontekstin e aspiratës së Shqipërisë për t’u integruar në BE.

Kjo ishte kosto politike, por fatura ka edhe nje aspekt ekonomik. Ajo që dihet është se CEZ ka një borxh prej 320 milionë dollarësh të papaguar të KESH, ndërkohë që vetë qeveria pretendon për një dëm prej 1 milliard dollarësh. I kujtdo që të jetë faji, këtë kosto do ta paguajnë me interesa qytetarët shqiptarë.

Top Channel