Berisha mbron taksën e sheshtë

23/01/2013 00:00

Nga konferenca e përvitëshme me donatorët e huaj të Shqipërisë, kryeministri Sali Berisha mbrojti edhe njëherë tjetër taksën e sheshtë duke e cilësuar atë si sistemi i tatimit më afër optimales, i pranuar sipas tij, nga qarqet akademike dhe politike më në zë në botë.

“Sot ka një debat të madh në qarqet akademike më të shquara të botës dhe në qarqet politike; debati rreth taksave dhe taksimit si faktor kryesor për të ndikuar në ecurinë e ekonomisë dhe ecurinë e krizës, dhe kjo është normale. Sot në të gjitha ekonomitë dhe qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes shtrohet pyetja, cili është sistemi i taksimit më i përshtatëshme, më optimali? Përgjigjet bëhen gjithnjë e më të shumta se taksa e sheshtë është më afër optimales. Ne jemi të kënaqur që jemi një vend prej vitesh me taksën e sheshtë”, tha Berisha.

Berisha cilësoi taksën mbi kapitalin si taksa më e padrejtë, ndaj për këtë tha ai, qeveria hoqi TVSH-në mbi makineritë e prodhimit për të gjitha bizneset.

Kryeministri falenderoi donatorët e huaj dhe premtoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një vend me lehtësira për thithjen e investimeve të huaja si faktori kryesor që mban vendin larg krizës globale dhe garanton rritje ekonomike.

Top Channel