“21 janari, ende plagë e hapur”

20/01/2013 00:00

Kreu opozitës, Edi Rama, në një konferencë për median u ndal në çështjen e 21 janarit, për të cilën tha se mbetet ende një plagë e hapur për aq kohë sa ende nuk ka drejtësi për ata të cilën padrejtësisht i morën jetën katër protestuesve.

” Nesër është 21 janari, një tjetër 21 janar pa drejtësi. Madje, një 21 janar që e gjen procesin gjyqësor në një fazë rrënimi të mëtejshëm. Është një nga ato plagë që kombet nuk i mbyllin dot me sytë e harresës. Është një plagë që ne duhet të bëjmë çmos ta shërojmë përmes drejtësisë. Nga ana tjetër, dua të vlerësoj shumë lart qëndrimin e SHBA-ve dhe të BE-së, që nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë në Shqipëri, kërkojnë drejtësi për 21 janarin. Është një qëndrim që vjen duke u forcuar, muaj pas muaji dhe vit pas viti, ashtu siç vjen duke u forcuar bindja e përgjithshme se 21 janari është një nga ato momentet që nuk mund të harrohen kurrë”, deklaroi Rama.

Rama hodhi poshtë akuzat se mes PS dhe PD ka një marrveshje për ndarjen e mandateve, akuzë e artikuluar nga LSI për të cilën Rama tha se çdo parti e vogël përpiqet të bëhet e madhe.

”Parlamenti nuk mund të marrë dot atributet e KQZ-së dhe është KQZ që sipas ligjit ka detyrimin të bëjë ndarjen e mandateve dhe afati i përcaktuar nga ligji është deri në datën 7 mars. Kështu që, pa dyshim, në rast se edhe qëndrimi i mbajtur sot nga një parti që ka një anëtar në KQZ, është ky që thoni ju, kjo është pozitive dhe është KQZ ajo që duhet të vendosë, ashtu si kundër, kemi të bëjmë me një ndryshim qëndrimi nga Partia që ka anëtarin e forcës së dytë në koalicionin qeverisës”, shtoi kryetari i opozitës.

I pyetur se kur publiku do të ketë mundësinë të njihet me listëm e deputeve që do të propozojë PS në zgjedhjet e 23 qershorit, Rama u përgjigj se për atë prioritare janë listat e borxhlinjve nëpër dyqane që shtohen çdo ditë dhe se lista e deputeve të PS-së për të është gjëja e fundit që i shkon në mendje.

Kryetari opozitës dha disa detaje nga mbledhja e kryesisë së PS, duke theksuar se në fokusin e saj ishin çështjet e organizatave që lidhen me procesin zgjedhor.

Gjithashtu, Rama shpalli zhvillimin e një eventi në muajn shkurt, nga ku do të lajmërohen të gjitha përgatitjet dhe garancitë e opozitës për votën e së ardhmes.

Top Channel