Një javë pasi media peruane raportoi arrestimin në Shqipëri të Manuel Augusto Blacker Miller, ish-Ministër i Jashtëm, pjesë e një grushti shtetit, mësohen detaje të reja se si ai mundi të hyjë në vendin tonë, pavarësisht se kërkohej nga drejtësia e Perusë.

Është deputeti Erjon Braçe që hedh dritë mbi këtë ngjarje. Nëpërmjet një postimi në Facebook Braçe thotë se Sali Berisha ka heshtur keq dhe kompromentueshëm për cështjen e ish-ministrit të Jashtëm të Perusë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i strehuar në Shqipëri.

Braçe, duke iu referuar të dhënave, siguruar nga sistemi “Tims” tregon se Miller, lindur më 18.10.1945 në Peru, ka hyrë në Republikën e Shqipërisë në datë 10.09.2012, ora 12:31 minuta me linjën ajrore “AlItalia nga Roma me pasaportën nr.4698977-PE.

Në sistemin “Tims”,  thekson Braçe, nuk rezulton asnjë dalje e Miller nga Republika e Shqipërisë.

Në reagimin e Ministrisë së Brendshme shqiptare, pas lajmit në median peruane për arrestimin, thuhej se nuk ka asnjë kërkesë nga Interpoli për të arrestuar Miller.

Por Erjon Braçe pretendon se zotëron fletë-arrestin ndërkombëtar lëshuar në vitin 2004, numrin e të cilit e ka publikuar në Facebook (Numri i fletë–arrestit ndërkombëtar AW0000200001920 AV.13-2004).

Po ashtu, sipas Erjon Braçes për Blacker Miller ekziston një vendim nga gjykata peruane datë 22.08.2008. Nëse do t’i referohemi përsëri prononcimit të Ministrisë së Brendshme në të thuhet se Interpol Tirana nuk e ka arrestuar ish-ministrin e jashtëm peruan.

Deputeti Brace thotë se Interpol Tirana me shkresën 1611/KL, protokolluar me numër La 157/2012, datë 04.10.2012 shpall në kërkim këtë shtetas, pasi ka një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga shteti peruan me shkresën e dërguar Interpol Tiranës Av.13-2004, pasi ky shtetas akuzohet nga gjykata peruane për veprën penale të krime kundër rendit kushtetues, rebelim dhe agresion, bazuar në nenin 346 dhe 152 të Kodit Penal peruan. “Nëse konstatohet nga organet policore të ndalohet dhe të njoftohet urgjentisht Interpol Tirana”, thuhet në shkresën e zyrës së Interpol Tiranës.

Për sa me sipër Erjon Braçe i drejton këto pyetje kryeministrit Sali Berisha: A janë të vërteta këto të dhëna? Nëse po, cila ka qenë arsyeja e mbrojtjes së këtij njeriu të kërkuar?

Top Channel