Me anë të një reagimi Argita Malltezi, vajza e kryeministrit Berisha ka akuzuar të shtunën kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama duke thënë se zoti Rama ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve si alternativë të vetme të politikës së tij shpifjen dhe sulmet e paprincipta spekulative.

Argita Malltezi ndër të tjera shkruan se zoti Rama beson se mund të fshihet duke përgojuar të ardhurat tona të krijuara nga burime transparente, të ligjshme, të deklaruara në tatime dhe ILDKP dhe të verifikuara prej tyre, ndërkohë që burimi i parave të huasë 100 milionëshe të gruas së tij mbeti jetim, sikundër dhe burimi i parave të pallatit gjoja të ngritur nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta, ndërsa pretendon se vila e Dajtit po ndërtohet me paratë e Kurbanit.

“Z.Rama, ti i je kthyer dëshpërimisht retorikës së Zanfarit, të cilit cdo tarifë i është ofruar në përputhje me ligjet e vendit dhe që prapë, në kundërshtim me detyrimet, nuk ka paguar asnjë qindarkë për shërbimet e ligjshme që ka përfituar; kjo sepse ti në panik kërkon të zhurmosh dy lejet e ndërtimit të dhëna në konflikt të hapur interesi për familjen e bashkëshortes tende Lindita Basha, akte këto të lëshuara dhe në shkelje të ligjit për urbanstikën, pasi ndërtimi prej afro 900m2 është ngritur në sheshin midis pallateve. Kjo është mënyra jote e abuzimit me pushtetin zoti Rama. Ndërtues të tjerë, të mirënjohur në Tirane të kanë akuzuar botërisht se për të lëshuar leje ndertimi u ke kërkuar miliona euro”, thuhet në letër-reagimin e Argita Berishës.

Në fund të letrës së saj Argita Malltezi i drejtohet kryetarit socialist duke i thënë se “unë kam qënë dhe jam krenare që cdo hap të aktivitetit tim profesional e kam kryer në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet në fuqi dhe kam ndjekur rrugën e punës së ndershme profesionale për të krijuar të ardhurat e mia, sic demostrojnë dhe shembujt që ti i keqlexon publikisht”

Top Channel