21 janari, marshim i heshtur i PS në Bulevard

19/01/2013 00:00

Partia Socialiste do të përkujtojë dyvjetorin e ngjarjes tragjike të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues.

Blendi Klosi, sekretar Organizativ në PS, e përshkruan 21 janarin si ditën më të errët për demokracinë shqiptare. Ai jep detaje të përgatitjeve nga selia rozë për të përkujtuar dyvjetorin.

“Partia Socialiste e Shqipërisë e ndjen detyrimin më të madh moral dhe qytetar për të qenë pjesë e përkujtimit që familjet i bëjnë 4 viktimave të pafajshme, por edhe përkujtimit që e gjithë shoqëria shqiptare i bën kësaj dite të zezë. Në orën 11.00, PS i bashkohet protestës së qytetarëve shqiptare për të vendosur lule në vendet e katër dëshmorëve. Sot në opozitë ne vendosim lule, nesër në pushtet do të vendosim lule, por drejtësisë së pavarur të vitit tjetër do t’i kërkojmë që të zbardhë këtë ngjarje, e cila rëndon shumë demokracinë shqiptare”, tha Klosi.

Deputeti Klosi thekson se PS-ja nuk do të ndalet për asnjë moment, nga të kërkuarit drejtësi për këtë ngjarje, duke kërkuar po ashtu nga organet e drejtësisë të lexojnë me kujdes prononcimet e trojkës së ambasadorëve.

“Eshtë një thirrje që vjen fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar është një thirrje që nuk duhet të mbetet në vesh të shurdhër, sepse ishte vetë shteti ai që qëlloi në 21 janar. Kemi detyrim shumë të madh në vetë gjenezën e partisë sonë, që drejtësia të shkojë vend dhe ata të cilët kanë urdhëruar atë ditë të dënohen, ata që kanë goditur atë ditë të dënohen, por edhe ata që kanë tentuar të manipulojnë atë ngjarje të dënohen”, tha Klosi.

Krahas protestës së heshtur të hënën, PS në ora 12.00 në Teatrin e Operas dhe Baletit do të shfaqë një dokumentar kushtuar kësaj ngjarje.

Majko:Drejtësi për 21 janarin

Dy ditë para 21 janarit, deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko nga
Korça ka kërkuar që shteti shqiptar të vendosë drejtësi për 4 jetët e
humbura në 21 janar.

Duke u ndalur tek deklaratat e ambasadorëve, të cilët kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, Majko tha se drejtësia nuk duhet matur me deklaratat e ambasadorëve të akredituar në Tiranë, por duhet që në Shqipëri të vendoset një raport i vërtetë me ligjin.

“Shpresa ime nuk tejkalon ato që kanë të bëjnë me litimet e drejtësisë shqiptare. Boll të shikosh se si ekspertët flasin përballë gjyqësorit sot, përfaqësuesi i Prokurorisë thotë që plumbi që vrau një nga demostruesit ishte goditur direkt dhe tjetri, në mënyrë të turpshme, thotë që është goditur rikoshet. Boll të dëgjosh të tilla gjëra të kuptosh se si është gjendja. Nuk besoj që ne raportin me drejtësinë duhet ta masim me deklarimin e ambasadorëve. Me respektin më të plotë më të plotë dhe më të thellë, por mendoj se deklaratat e ambasadorëve duhet të rikthejnë në mënyrë të qartë faktin se drejtësia në Shqipëri duhet të flasë”, thotë Majko.

Deputeti socialist gjithashtu nënvizoi se drejtësia shqiptare ndodhet në limitet e saj, duke argumentuar deklaratat e kundërta të dy ekspertëve dhënë gjatë procesit gjyqësor për 21 janarin.

Top Channel