Pep do Raul-in ndihmës, por Klopp “sulmon”

18/01/2013 04:25

Raul Gonzales Blanco, kapiteni historik i Real Madrid dhe ish-sulmues i Schalke 04, mund të jetë ndihmësi i ri i Guardiola-s në pankinën e Bayern Munchen.

Këto janë informacionet e para të medias gjermane, pas bujës që bëri lajmi i kalimit të teknikut katalanas te bavarezët.

Raul, falë eksperiencës së fundit të tij në Gelsenkirchen, e njeh mirë gjuhën, njeh mirë Bundeliga-n dhe mund të ndihmonte më së miri Guardiola-n të ambientohej.

Të dy këta, pavarësisht rivalitetit Real-Barça në Spanjë, janë miq shumë të mirë. Agjenti i trajnerit katalanas e ka mohuar për momentin këtë hipotezë.

Ndërkohë, trajneri i kampionëve aktualë të Gjermanisë, Borussia Dortmund, ka menduar t’ia bëjë “të vështirë” jetën spanjollit. Jurgen Klopp e komenton kështu emërimin e Guardiola-s në krye të pankinës së Bayern-it.

“E pabesueshme, vërtet fantastike, jam i lumtur që do të mund ta njoh, herët apo vonë”, ka deklaruar Klopp, përpara se të shtonte: “Shpresoj vetëm që të marrë mundimin të jetë prezent gjatë stërvitjeve, pasi trajnerët e huaj në Bundesligë e bëjnë shumë rrallë këtë gjë. Shpresoj që ai të bëjë përjashtim”.

Top Channel