SHBA dhe OSBE: Të zbardhet 21 janari

17/01/2013 17:40

Në prag të përvjetorit të dytë të 21 janarit, Ambasada Amerikane në Tiranë, nëpërmjet një deklarate theksoi se kjo ngjarje nuk mund të lihet në harresë dhe kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të të gjithë detajeve të asaj dite tragjike. 

”Duam t’i shprehim edhe një herë më shumë ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të atyre që u vranë dhe u lënduan në 21 janar 2011”, shkruhej në deklaratën e përfaqësisë amerikane në vendin tonë.

”Të gjithë ata ishin viktima të dhunës së pakuptimtë dhe të pafalshme. Në mënyrë që një ngjarje e tillë të mos përsëritet, është e domosdoshme që një shpjegim i plotë të realizohet për 21 janarin, nëpërmjet një procesi të besueshëm ligjor”, thekson deklarata, e cila do të publikohet e plotë në edicionin qendror të lajmeve në “Top-Channel”, në orën 19:30.

Midis të tjerave, ambasada lëshonte një apel të ri ndaj politikanëve dhe qeverisë, “e cila duhet të bëjë të mundur që populli të besojë në mbizotërimin e demokraciosë dhe të shtetit ligjor”.

Qëndrimi i sotëm i ambasadës amerikane është një vazhdimësi e një qëndrimi të vazhdueshëm, në favor të zbardhjes sa më të shpejtë të rrethanave, autorëve dhe motiveve të vrasjes së katër qytetarëve dhe plagosjes së dhjetëra të tjerëve, në protestat e opozitës në 21 janar 2011.

Njëkohësisht, deklarata e ambasadës mund të interpretohet si një sinjal i qartë kundër zvarritjeve që kanë shoqëruar procesin e 21 janarit në gjykatë deri më sot.

Edhe OSBE kërkon drejtësi

Edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugent Volfarth ka kërkuar vendosjen e drejtësisë për ngjarjet e 21 Janarit.

Nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga zyra e OSBE-së, Volfarth kërkon drejtësi për vdekjen e protestuesve në prag të 2 vjetorit të ngjarjes së rëndë.

“Llogaridhënia dhe shteti i së drejtës janë elementët thelbësorë të demokracisë”, thuhet në deklaratë.
 

Top Channel