AK për Preshevën: Beogradi të respektojë detyrimet

17/01/2013 00:00

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar tw enjten për situatën e krijuar në Luginën e
Preshevës, pas vendosjes së përmendores me emrat e dëshmorëve të
UÇPMB-së.

Kuqezinjtë shprehen të shqetësuar për zhvillimet e përkeqësuara politike në Luginën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, të cilat po ndodhin vetëm pak ditë përpara takimit të pritshëm midis dy kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, Daciç dhe Thaçi.

AK ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se po dhunon detyrimet kushtetuese dhe nuk mbron të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen. “Tensionet politike të përkeqësuara në Luginën e Preshevës dhe rezoluta famëkeqe e Parlamentit Serb për shndërrimin e Veriut të Kosovës në “Republika Serbska” si në Bosnje, dëshmojnë qartë se politika dhe diplomacia serbe janë kthyer mbrapa drejt recidivave politike e diplomatike të kohës së Milloshevicit. Aleanca KuqeZi kërkon të dijë se ku është fshehur shtetasi Berisha, i cili trumpetoj një muaj më parë se do mbrojë Shqipërinë etnike nga Preveza në Preshevë. Ai po dhunon detyrimet kushtetuese që rrjedhin nga neni 8 i ligjit themeltar “për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë”, ka deklaruar përfaqësuesi i AK-së, prof.dr. Maks Qoku.

Kuqezinjtë kanë deklaruar se Beogradi zyrtar po shkel në mënyrë flagrante aktet juridike që i kanë firmosur e ratifikuar vetë. “Republika e Serbisë po shkel “Konventën e Kombeve të Bashkuara për luftën kundër gjithë formave të diskriminimit, racizmit dhe të ksenofobisë”.

Top Channel