Vlorë, acid në fytyrë gjyqtares

16/01/2013 00:00

Gjyqtarja e çështjeve Penale në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë,
Mirela Mishgjoni është sulmuar nga një person i paidentifikuar ende, i
cili i ka hedhur acid në fytyrë.

Ngjarja ndodhi në orën 9.00 të paradites, ndërsa 40-vjeçarja po dilte nga banesa e saj për të shkuar në punë. Sipas dëshmisë së dhënë policisë, gjyqtarja është përballur me një të ri pa maskë, që i ka zënë rrugën dhe ka nisur ta spërkasë atë në trup me acid që mbante në një shishe. Me pas personia është larguar me shpejtësi.

Policia ka tashmë të dhëna rreth agresorit dhe pritet arrestimi i tij. Pas incidentit gjyqtarja është dërguar në spital. “Shikojmë dëmtime në gojë, në laring, si dhe në zonën e syrit. Për momentin gjendja e saj është e stabilizuar”, thotë mjeku Aldo Vangjeli.

Pas ngjarjes, në shenjë proteste gjyqtarët e Vlores pezulluan të gjitha proçeset, ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë me anë të një deklarate shprehu solidaritetin ndaj gjyqtares dhe familjarëve të saj dhe dënoi me forcë aktin.

Gjyqtarja Mishgjoni punon në Gjykatën e Vlorës prej vitesh, me një shkëputje në vitin 2008, pasi KLD-ja mori masë ndaj saj me akuzën e abuzimit me detyrën. Pasi vendimi u rrëzua nga gjykatat Mishgjoni i është rikthyer detyrës.

Gjatë mbrëmjes gjyqtaren Mishgjoni e ka vizituar në spitalin e Vlorës zv.ministri i Drejtësisë, Ermal Dobi, i cili tha se ky është një krim i rëndë dhe një ngjarje e rëndë për të gjithë sistemin e drejtësisë, e që duhet dënuar.

Më herët kreu i policisë së Vlorës, Artan Cuku, pas interesimit të mediave u shpreh se policia po heton në disa pista e se shumë shpejt kjo ngjarje do të zbardhet. Aktualisht gjendja e gjyqtares Mishgjoni është stabël dhe nuk paraqiten komplikacione. 

Gjykata e Lartë: Sulmi, atentat kundër pushtetit gjyqësor

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë  ka dënuar sulmin ndaj gjyqtares Mirela Mishgjoni, duke e cilësuar ngjarjen si një atentat që i bëhet pushtetit gjyqësor.

“Pas këtij akti të rëndë dhune, të përsëritur tashmë ndaj përfaqësuesve të gjyqsorit, Gjykata e Lartë deklaron se sulmi ndaj gjyqtares Mishgjoni, përbën një atentat të rëndë kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të tij. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera të ndodhura gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare e cila është e interesuar mbi të gjitha për të drejtën dhe sigurinë e jetës së çdo individi dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Lartë kërkon për të disatën herë zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të gjyqtarëve. “Cënimi i jetës së një gjyqtari përbën kërcënim serioz për shoqërinë, rendin, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se gjykatat janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë”, theksohet në deklaratë.

“Me bindje, kërkojmë marrjen e masave të menjëherëshme ligjore, institucionale, organizative e materiale nga ana e organeve kompetente, jo vetëm për zbardhjen e ngjarjes dhe vënies përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e ngjarjeve të tilla të shëmtuara dhe çnjerëzore”, përfundon deklarata.

Shehu: Situata e përkeqësuar

Për të diskutuar mbi ngjarjet e fundit në lidhje me sigurinë dhe rendin publik i ftuar në studion e lajmeve në Top Channel ishte zoti Besnik Shehu, kriminolog dhe ish-drejtues i lartë i policisë dhe Ministrise së Brendshme.

Ilir Paço – Kohet e fundit vihet re një rritje e aktivitetit kriminal, madje edhe kundër vetë forcave të rendit. A është normale kjo kurbë?

Besnik Shehu – Sigurisht që nuk është normale, dhe kjo jo vetëm nga perceptimi publik. Gjendja është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Ilir Paço –  Cilët faktorë ndikojnë aktualisht në rritjen e kriminalitetit?

Besnik Shehu – Faktorë makro janë situata ekonomiko-financiare, politike dhe performanca e strukturave të ruajtjes së ligjit. Gjendja ekonomike është e njohur se është në stanjacion. Kjo varfëri detyrimisht ndikon në rritjen e kriminalitetit. Situata politike është ndezur dhe është ndezur me akuza të ndërsjellta, aq më tepër që performanca e institucioneve të ruajtjes së ligjit lë për të dëshiruar.

Ilir Paço – Çfarë duhet të ndryshojë në policinë shqiptare për të qenë më efikase në luftën kundër krimit?

Besnik Shehu – Duhet të ndryshojë, motivimi që është i domosdoshëm, sepse në polici ka profesionistë dhe unë e di këtë.

Top Channel