Studentë të Universitetit të Prishtinës dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme pro-shqiptare kanë mbajtur të mërkurën një marshim në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Kosovë lindore, jemi me ju”, “Nuk jeni vetëm”, Serbi, mos luaj me zjarrin” ishin disa nga parullat që kanë mbajtur në duar protestuesit, të cilët kanë kërkuar respektimin e të drejtave të shqiptarëve.

Përfaqësuesi i studentëve nga Lugina e Preshevës, Naim Ramizi i ka bërë thirrje Shqipërisë dhe Kosovës që të dalin në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të luginës, raporton “RTK”.

”Kërkojmë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë që çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore ta shtrojë në OKB. Po ashtu, nga qeveria e Kosovës kërkojmë që Kosova Lindore automatikisht të futet në axhendën e bisedimeve që po mbahen me Serbinë dhe që të kërkohet reciprocitet pa kushte”, ka deklaruar Ramizi.

Ndërsa përfaqësuesi i shoqatës “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka parashtruar një propozim përsa i përket lapidarit të UÇPMB-së.

”Në rast se kërkohet që t’i ndërrohet vendi lapidarit tonë, atëherë ne kërkojmë që lapidarit fantazmë të Gazimestanit t’i ndërrohet vendi nga Fushë Kosova në Graçanicë”, ka thënë Kadriu.

Manifestuesit i kanë bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndalë represionin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Vetëvendosje: Thaçi, demagogji politike për Preshevën

Ndërkohë, lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar qeverinë e Kosovës për faktin se në bisedimet me Serbinë nuk ka përfshirë edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një konferencë për shtyp, deputeti Liburn Aliu ka thënë se deklaratat për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve jashtë Kosovës janë vetëm demagogji politike.

“Në vend që të përdoren të gjitha kanalet diplomatike dhe të shfrytëzohen miqtë që kemi sot për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, Thaçi tregon gatishmërinë dhe zellin që të negociojë veriun pa kushte, ndërkohë që përfaqësuesve politikë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës u ofron retorikë të shterur dhe buzëqeshje”, ka thënë Aliu.

Ndërsa nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, deklaratat e kryeministrit Thaçi se në bisedimet e 17 janarit në Bruksel nuk do të diskutohet për organizmin e brendshëm shtetëror të Kosovës, i ka quajtur të pavërteta.

“Nga Thaçi, Ashton dhe Daçiç, vetëm Thaçi mendon se organizimi i brendshëm nuk do të jetë temë. Të paktën publikisht, sepse jemi të vetëdijshëm se ai e di shumë mirë se çfarë do të diskutohet atje“, ka thënë Ahmeti.

Top Channel