Panariti: Asnjë marrëveshje e re me Athinën

16/01/2013 00:00

Shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Panariti gjatë një bashkëbisedimi
me median komentoi zhvillimet më të fundit që lidhen me çështjen e
shumëpërfolur të kufirit detar me Greqinë, pas njoftimeve se Athina do
ta dërgojë atë në OKB.

“Nuk ka marrëveshje midis Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e delimitimit të hapësirës ujore midis dy vendeve tona, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i prerë. Ne duhet të rimarrim edhe njëherë negociatat me shtetin grek për të arritur një marrëveshje, e cila duhet të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme nga të dyja palët. Për një dokument të tillë unë ende nuk kam informacion zyrtar që ky dokument është i depozituar në OKB, kur të depozitohet do ta shohim me kujdes dhe do të prononcohemi”, tha Panariti.

Zoti Panariti deklaroi qëndrimin zyrtar të Shqipërisë në lidhje me ultimatumin e Serbisë për të hequr nga Presheva një përmendore që iu kushtohet të rënëve të UÇPMB-së.

“Pozicionet e ngurta nuk janë ato që i shërbejnë zgjidhjes së situatës. Unë mendoj që të dy palët duhet të zhvillojnë dialog midis tyre dhe ky dialog duhet të përfshijë një paketë çështjesh që ekzistojnë midis shqiptarëve të Komunës së Preshevës dhe autoriteteve serbe, të cilat shkojnë shumë përtej çështjes së një monumenti historik, i cili përbën veçanti, për arsye se është pjesë e memories historike të shqiptarëve dhe si i tillë, duhet trajtuar si diçka e veçantë dhe në mënyrë shumë të kujdesshme”, tha Panariti.

Top Channel