Lushnjë, plagosen dy efektive të rrugores

15/01/2013 22:10

Një tjetër goditje ndaj policisë është shënuar gjatë mbrëmjes së sotme në Lushnjë, ku dy efektiva të policisë rrugore janë plagosur gjatë një kontrolli rutinë për dokumentacionin.

Emrat e policëve të konfrontuar me dy persona, ende të paidentifikuar, janë Berti Memaj dhe Marenglen Lula, të cilët ranë prè e sulmit me sende të forta dhe me grushta në afërsi të Savrës.

Efektivët e policisë janë shoqëruar menjëherë për në spital, ndërkohë që dy agresorët janë arrestuar. Ata nuk pranuan t’u tregonin dokumentet policëve të rrugores.

Ngjarja vjen pak kohë pas sulmit ndaj shefit të policisë kriminale në Burrel, Musa Skura, i cili u plagos rëndë gjatë një operacioni për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, mbrëmjen e së dielës.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur rëndë komisar Skura, i cili edhe pasi iu nënshtrua operacionit kirurgjikal në Tiranë, ka mbetur në gjendje shoku, për shkak të traumave të rënda.

Ai u nis mesditën e së martës drejt një spitali të specializuar në Itali.

Top Channel