Shqiptarët do të digjen në ferr! Kështu thotë një njoftim në internet i njësisë për ndërhyrje operative e njohur si JSO, e cila është jashtë funksionit që nga viti 2003.

Kjo njësi ka qenë pjesë e rregullt e forcave policore të Serbisë, e kryesuar dikur nga Millorad Ullemek, i njohur si Llegia, që aktualisht ndodhet në burg për shkak të vrasjes së kryeministrit Zoran Gjingjiç.

“Shqiptarëve rrugën për në ferr do t’ua sigurojmë ne”, thuhet në njoftimin, i cili është bërë publik në internet, me të cilën kërcënohen shqiptarët nëse e kundërshtojnë heqjen e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë.

Kryeministri serb, Ivica Daçiç ka thënë se kjo është një marrëzi. Sipas tij, këto janë përgjigje të internetit kundrejt kërcënimeve të bëra po në internet të shqiptarëve, por që nuk janë serioze.

“Si mund të lëshojë një formacion që nuk ekziston një njoftim. Kështu mund të bëjë njoftime edhe ushtria e Hitlerit. I lutem mediave të bëjnë dallime në mes të atyre se çfarë janë të rëndësishme e çfarë jo”, ka thënë Daçiç.

Por analistët mendojnë se pjesëtarët e këtij njësiti janë të lirë dhe shpesh pjesë e strukturave të sigurisë apo organizatave ultranacionaliste. Kryeministri Daçiç u ka sugjeruar pjesëtarëve të JSO të kënaqen me pensionet e tyre.

JSO ishte bërë e famshme edhe para vrasjes së kryeministrit Gjingjiç, kur anëtarët e saj kishin dalë në rrugë të armatosur për të protestuar.

Top Channel