Grabitjet e fundit në vend

15/01/2013 17:40

Autobusi i linjës Sarandë-Tiranë është sulmuar minutat e para të së hënës me kallashnikov në dalje të Tepelenës nga dy persona të maskuar. Autobusi ishte nisur nga Saranda në orën 10 të mbrëmjes të së dielës dhe në momentin e ngjarjes së rëndë brenda tij po udhëtonin 18 pasagjerë.

Grabitësit kanë shtënë fillimisht në ajër për të detyruar shoferin të ndalojë dhe menjëherë më pas në drejtim të mjetit. Një plumb ka përshkuar xhamin e kabinës së shoferit, ndërsa pasagjerët, shumica e të cilëve ishin në gjumë, i ka përfshirë menjëherë paniku. Dëshmitë e pasagjerëve në vendngjarje e përshkruajnë aksionin e grabitjes si të befasishëm.
 
“Shoferi ngriti menjëherë duart lart, harroi që po ngiste. Më pas ndaloi dhe mblodhi lekët që kishim nëpër xhepa për hajdutët.

Drejtuesi i mjetit Sokol Bërxhaj thotë se ka hapur menjëherë dyert e autobusit dhe pas kërcënimit të grabitësve ka mbledhur menjëherë lekët duke plotësuar kërkesën e tyre: “Ngrita duart lart, dola nga autobusi dhe më thanë që donin lekë. U mblodha lekët pasagjerëve, rreth 300 mijë lekë (të vjetra) dhe pasi i morën, ata ikën.”

Autobusi ka lëvizur menjëherë më pas nga vendngjarja sipas drejtuesit të mjetit dhe ndihmësit të tij për tu larguar sa më shpejt nga grabitësit, nga frika e ndonjë sulmi të dytë. Dy persona, pasagjerë të autobusit, kanë dalë nga dera e pasme e autobusit në momentin e konfrontimit dhe janë larguar për tu fshehur në errësirë.

Vetëm pas rreth 30 minutash njëri prej pasagjerëve në autobus ka njoftuar policinë, ndërsa mjeti  u ndal në fshatin Iliras, rreth 13 kilometra më tutje për të pritur grupin hetimor. Prokuroia nxorri urdhëra kontrolli për 14 banesa të personave të dyshuar dhe ka arritur të arrestojë autorët në banesën e tyre në fshatin Mamaj, në Tepelenë. Vëllezërit Babush e Melsen Ruçi, përkatësisht 32 e 25 vjeç. Ata akuzohen për një seri vjedhjesh në njësi private dhe banesa gjatë kësaj periudhe.

Policia ka sekuestruar edhe armën e që terrorizoi pasagjerët e autobusit. Qytetarët në Tepelenë flasin për rritje të numrit të grabitjeve kohët e fundit ndërsa në aksin Tepelenë – Memaliaj është rikthyer frika dhe kujtesa  e grabitjeve të viteve 97 – 98.

Të grabisësh në kërcënimin e armës

Një operacion me emrin hollivudian “Nikita” u mbyll të dielën në Fier. Pas një sërë grabitjesh në qytet, ku viktimat ishin gra të reja ose më në moshë, të gjitha pistat të çonin tek një autore femër.

Te dielën, në prangat e policisë ra Enkelejda Merka. Ende sot nuk është zhvilluar seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë për 29-vjeçaren. Mirëpo shumë pikëpyetje rrethojnë qëndrimet e palëve. Pikë së pari, gjendja ekonomike e familjes dhe e vetë autores së dyshuar nuk lë vend për dyshime. Situata e shëndoshë financiare e bën të panevojshme grabitjen e shumave të vogla të parave.

Nga ana tjetër, ka informacione se kanë qenë pikërisht identifikimet e viktimave që çuan në kapjen e Enkelejda Merkës. Ne familjen e saj tensioni është i madh. Familjarisht e reja jeton në Itali dhe ka qenë në Shqipëri vetëm për pushimet e fundvitit. Daja i saj, pa dashur të ekspozohet shumë për kamerën tonë, këmbëngul tek disa detaje. Makina e saj nuk ka dalë më shumë se dy herë nga shtëpia, ndërkohë që policia ka pranuar rreth 5 denoncime kur një person me makinë i ka grabitur.

Enkelejda Merka është nëna e një vajze të vogël e cila e pret në shtëpi. Por sjellja e saj ne komisariat ka ngritur pista të tjera dyshimi. Agresiviteti nuk e ka ndihmuar. Fakt është që gratë e Fierit janë të terrorizuara. Fakt është që gjakrat pas këtij arresti janë qetësuar, por gjakrat e familjes Merka nga zona e Mbrostarit janë ngrirë.

Top Channel