Berisha: Luftë krimit në institucione

15/01/2013 19:00

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi prokurorit të pergjithshëm, shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit dhe të gjitha agjencive të tjera të zbatimit të ligjit të nisin brenda vetes luftën me krimin e organizuar.

Në mbledhjen e Komitetit ndërinstitucional për masat kudnër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, kryeministri kërkoi zbatimin e modelit të shpallur nga kryeprokurori i ri.

“Prokurori i përgjithshëm i vendit nisi detyrën e tij me një moto, të cilën unë e konsideroj jetike për suksesin e punës në secilën nga agjencitë tuaja. Ai e shpalli publikisht: do të luftoj lidhjet me krimin në institucionin tim. Në qoftë se nuk plotësojmë këtë kusht, suksesin do ta ketë pala tjetër, do ta ketë krimi dhe jo ne”, deklaroi Berisha.

Kryeministri i kërkoi ministrit të Financave të marre nga Fondi Monetar Ndërkombëtar të dhënat që ka përdorur organizata Global Financial Integrity, sipas të cilës kanë dalë jashtë Shqipërisë 1.3 miliardë dollarë në formën e parave të pista.

“Ne jemi vend anëtar dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, gjykoj unë, është i detyruar t’u japë shteteve anëtare të dhëna të tilla. Por këtu, prokurori i përgjithshëm, Agjencia e Luftës kundër Larjes së Parave, Policia Kriminale duhet të përdorin të gjitha lidhjet e tyre në ndjekje të këtyre shumave. Kush qëndron pas tyre dhe nga vijnë. Ka pasur raste të qarta si kristali, kur prokurorë pa asnjë hetim, pa as edhe një orë hetim i kanë kthyer përgjigje autoritetit shtetëror të Luftës kundër Larjes së Parave se nuk kemi të bëjmë me larje parash. Nuk ka mbrojtje më të shkëlqyer se kjo”, nënvizoi Berisha.

Shefi i qeverisë u kërkoi agjencive të zbatimit të ligjit të mos e dobësojnë punën për shkak të fushatës elektorale, pasi sipas tij, sa më mirë të funksionojë ligji, aq më të mira do të jenë edhe zgjedhjet.

“Pavarësisht nga fushatat, ju duhet të përqendroheni me vendosmërinë më të madhe për “zero tolerancë” ndaj krimit të organizuar. Jam i bindur se kjo është kërkesë e të gjitha forcave politike të vendit dhe e të gjithë qytetarëve. Ata duhet të shohin partitë në mitingje, ndërsa institucionet në funksionim të plotë, në interesin më të mirë të qytetarëve”, shtoi Berisha.

Top Channel