Të pastrehët, protesta para Kushtetueses

14/01/2013 00:00

Dhjetra të pastrehë nga Durrësi dhe Tirana protestuan para godinës së Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të qeverisë që i detyron ata të lirojnë banesat e pronarëve, që iu konfiskuan nga regjimi komunist.

Dy prej përfaqësuesve të familjeve durraske, të strehuar nga shteti 50 vjet më parë, kanë qenë ish-oficerë të ushtrisë dhe sot sipas tyre, shteti po i hedh në rrugë pa i gjetur më parë një strehë ku të kalojnë vitet e pleqërisë.

Para mediave ata publikuan dokumente, sipas të cilave vërtëtojnë se banesat ku janë strehuar janë prona të shtetit, por prej 20 vitesh ata janë në procese gjyqësore me pretenduesit e këtyre pronave.

Edhe familjet që jetojnë në kryeqytet në banesat e ish-pronarëve janë të friksuar se do të gjenden në rrugë shumë shpejt.

“Unë mbi bazën e aktit normativ që ka lëshuar qeveria, unë kam bërë aplikim për qira bashkie, as sot e kësaj dite nuk po marr përgjigje, ndërsa më doli emri në gazetë për të liruar banesën. Por si të liroj banesën unë pa u siguruar tjetra?!”, thotë njëri prej protestuesve.

Të pastrehët i kanë bërë thirrje kryeministrit Berisha që të ndërhyjë e të shtyjë aktin normativ në një kohë të pacaktuar, deri në gjetjen e një zgjidhje për ta.

Top Channel