Itali, shqiptari vdes pas aksidentit

13/01/2013 00:00

Quhej Petro Hasanaj shtetasi shqiptar që humbi jetën në një aksident automobilistik në afërsi të Faenzës, në zonën e Reggio Emilias.

42-vjeçari që udhëtonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët, mendohet se ishte në timon prej disa orësh. Ndoshta gjumi apo një pengesë e papritur kanë çuar në përplasjen e makinës që pasi ka kapërcyer trafikndarësen ka përfunduar në një skarpatë.

Gruaja dhe vajza 10-vjeçare e çiftit ndodhen të shtruar në spitalin e Imolës me plagë jo të rënda, ndërsa djali 13-vjeçar është çuar në Bolonja dhe është në rrezik jete.

Familja shqiptare jetonte në Jesolo, pranë Venezias, prej më shumë se dhjetë vjetësh. Kryefamiljari punonte në ndërtim dhe me sa dihet familja Hasanaj po kthehej nga pushimet e kaluara në Shqipëri. Policia po punon për të zbardhur dinamikën e aksidentit në të cilin duket se nuk janë përfshirë automjete të tjera.

Top Channel