Autoritetet italiane i njohin të drejtën e strehimit një gruaje shqiptare të ardhur në Itali për t’i shpëtuar dhunës së bashkëshortit.

Komisioni territorial që shqyrton kërkesat e të huajve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare ka vendosur të pranojë kërkesën e kësaj shtetaseje shqiptare, e cila arriti të dëshmojë me fakte dhunën e pësuar nga bashkëshorti. Por jo vetëm kaq, Komisioni ka theksuar faktin se “në vendlindjen e saj nuk mbrohet paprekshmëria e gruas nga kërcënime aq të rënda sa ajo të meritojë mbrojtje ndërkombëtare” dhe ka vendosur të zbatojë Konventën e Gjenevës mbi statusin e refugjatëve, të nënshkruar në korrik të vitit 1951.

Shoqata që ka ndihmuar shtetasen shqiptare në këtë procedurë të vështirë dhe të gjatë burokratike shprehet se ky vendim i jep shpresë të gjithë atyre grave që largohen nga vende ku integriteti personal nuk është i mbrojtur ose është i mbrojtur vetëm formalisht.

Sipas degës së Milanos të Komisionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në këto vende bën pjesë edhe Shqipëria.

Top Channel