Serbia duhet të ndërpres përrallat dhe t’i kthehet një realiteti të hidhur pasi pothuajse nuk ka fare sovranitet në Kosovë.

Kryeministri serb Iviça Daçiç, me këto fjalë ka sqaruar para deputetëve serbë se përse është duke u bërë rezoluta dhe platforma për bisedimet me Kosovën.

“Qëllimi i seancës së sotme nuk është vetëm debati për disa faqe tekst të rezolutës, po që Serbia mund të shikojë mundësitë për një zgjidhje të drejtë, për një politikë të përgjegjshme dhe reale në Kosovë”, ka thënë Dacic.

Ai ka theksuar se prej 13 vjetësh në jug të Kosovës është duke u ndërtuar pavarësia. Daçiç ka thënë se do të insistojë në krijimin e një bashkësie autonome të komunave serbe në Kosovë, pasi qëllimi i Serbisë është të vihet pika në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

“Në Kosovë situata është e vështirë. Sovraniteti i Serbisë nuk ekziston pothuajse fare në Kosovë, institucionet serbe janë duke u dëbuar nga Kosova, e serbët nuk kanë ndërtuar institucionet e tyre autonome. Me Kosovën drejtojnë komandantët e njësive terroriste me të cilët kemi luftuar, por ata i presin në Uashington e Bruksel. Presidenti serb nuk mund të shkojë në Kosovë, në Prizren është vetëm një nxënëse serbe. Nuk mund të mbrojmë vendet e shenjta”, ka thënë Daçiç.

Krerët e shtetit dhe deputetët do të vazhdojnë debatin për Kosovën pas amendamenteve të propozuara nga opozita.

 

Top Channel