PS: Argita mashtroi sipërmarrësin

11/01/2013 00:00

Bazuar në një korrespondencë mes zyrës së avokatisë së Argita Berisha
Malltezit dhe biznesmenit Zafar Ansar, PS vijoi së denoncuari atë që e
quan “i tërë shteti në shërbim të vajzës së Kryeministrit”.

Deputeti Taulant Balla, duke iu referuar kësaj korrespondence tha se “pas përfshirjes së studios ligjore dhe ortakes së Argitës, duket se projekti ka hasur në një mur të pajustifikueshëm kërkesash nga ana e palës Berisha.

Deputeti Balla lexoi disa fragmente, nga ai që Balla e quan Pazar, ku është prfshirë biznesmeni Zafar Ansar, ambasadori i Shqipërisë dhe zonja Argita Berisha.
 
Banaj për Ansar: “Nëse ju fort besoni se ajo (Argita) po mashtron ose abuzon, atëherë unë sinqerisht tërhiqem nga e gjithë kjo histori dhe shpreh ndjesën time më të thellë ju cova dhe ju shtyva në duar të gabuara”.

“E pra këtu duket qartë se biznesmeni i huaj dyshon se është duke u mashtruar nga ana e studios ligjore që pa filluar mirë projekti i kërkon paratë”, thotë Balla.

Argita për Ansar: “Më vjen keq që po ju vendos nën një presion të tillë, por duhet të kemi vendimin tënd sa më shpejt të jetë e mundur, sepse unë jam nën presion nga agjentët e tokave”.

“Është e thjeshtë kjo histori. Një biznesmen i huaj erdhi të investonte në Shqipëri,takoi në fillim Kryeministrin dhe më pas me marifet përfundoi në zyrën e konsulencës së vajzës së Kryeministrit, pas faturave, kontratave dhe përqindjeve, në fund ndihet i mashtruar; dhe vendos të largohet nga Shqipëria”, thotë Balla.

Në këtë histori kaq shqetësuese,  tha Balla të njehsimit të pushtetit me paranë dhe familjen,episode të tilla janë të përditshme dhe ja pse përditë Shqipëria e shqiptarët rrënohen ekonomikisht.
 
“Problemi ynë nuk janë të pasurit, po pasurimi i paligjshëm i pushtetit të Saliut që thith palcën e ekonomisë kombëtare dhe rrënon shtetin. Problemi ynë nuk janë fëmijët e kryeministrit, po është kryeministri që bashkë me fëmijët e kanë kthyer qeverisjen e këtij vendi në aktivitet fitimprurës për familjen e tyre. Problemi ynë nuk është që të mos pasurohen dhe të mos jetojnë të lumtur Argita dhe Shkëlzeni, meqë janë fëmijët e kryeministrit, por që qoftë e bija dhe qoftë e biri nuk denjojnë të shpjegohen me transparencë dhe me etikë për pasurimin e tyre marramendës në harkun e një viti”, tha Balla.

Deputeti Balla foli edhe për slloganin elektoral të PD-së lancuar mbrëmjen e së enjtes.

“Por të dashur qytetarë, problemi në këtë mes nuk është as Argita as Shkëlzeni, por babai i tyre kryeministër që edhe slloganin e fushatës e ka PËR PARA! Për para Saliu vodhi votat në 2009-ën. Për para Saliu nxorri Shqipërinë në shitje. Për para Saliu e bën të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë, duke u sjellë me shqiptarët si të ishin një popull që nuk meriton më shumë se sa këtë spektakël banaliteti të përditshëm në kulmin e një krize ekonomike rrënuese. Ja pse fushatës së tij për para ne do t’i kundërvëmë përpjekjen e përditshme për ndryshim, dinjitet, rilindje shqiptare”, u shpreh Balla.

Top Channel