“Kurum” fiton tenderin për 4 HEC-et

09/01/2013 18:40

Qeveria ka shpallur zyratrisht shoqërinë “Kurum” si fituese në tenderin për shitjen e katër hidrocentraleve, ato të Ulëz, Shkopetit dhe dy Bistricave.

Në mbledhjen e radhës, Këshilli i Ministrave ka miratuar raportin përfundimtar të vlerësimit, që përcakton shoqërinë turke si fituese në tenderin pë privatizimin e dy shoqërive, Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1 e 2.

Në vendim qeveria ka shtuar edhe një pikë, e cila detyron Ministrinë e Financave që para nënshkrimit të kontratës të llogarisë dhe shlyejë detyrimet që shteti ka ndaj Kurum për rimbursimin e TVSH-së.

Një pikë kjo që është imponuar nga vetë shoqëria gjatë negociatave në Ministrinë e Ekonomisë. Burime nga kjo ministri thanë për Top Channel se bëhet fjalë për një shumë prej 1.2 milionë eurosh, që administrata tatimore i detyrohet “Kurum”, e cila do të rakordohet gjatë pagesës së çmimit për hidrocentralet.

Në tenderin e zhvilluar muajin e kaluar, “Kurum” ofroi 109.5 milionë euro për blerjen e 4 hidrocentraleve me një kapacitet të instaluar rreth 80 mega vat, të cilët prodhojnë mesatarisht 400-450 milionë kilovat/orë në vit.

Top Channel