Të pastrehët refuzojnë përmbarimin

08/01/2013 00:00

E marta ka qenë një ditë e tensionuar mes banorëve që jetojnë tek godina e ish-çerdhes 36 në kryeqytet, Policisë së Shtetit  dhe Përmbaruesve të cilët kërkonin të ekzekutonin vendimin e gjykates për të liruar banesat.

Disa banorë kërcënuan me vetëflijim në rast se policia do të ndërhynte, ndërsa në mbremje u gjet zgjidhja. Nadire Qerimi, pronarja e ish-çerdhes tha se gjatë mbrëmjes është arritur marrëveshja me 12 familjet që të largohen nga banesat. Ndërkohë 2 familjet më të varfëra do të ndihmohen me pagesën e qirasë për 6 muaj.

Gjatë ditës banorët e 12 familjeve kanë qenë të irrituar dhe disa prej tyre, përvec konfrontimit me punonjësit e policisë, deklaruan se do të flijohen nëse ata do të nxirreshin forcërisht nga banesat e tyre. 

Përleshjet nisën në momentin kur policia, e thërritur nga përmbarimi gjyqësor, u përpoq të nxjerrë jashtë banorët që pretendojnë se prona ku ata banojnë është pronë shtetërore. Banorët kanë akuzuar familjen që pretendon se është pronare e truallit për falsifikim dokumentash. Ata thonë se janë ende në proces gjyqësor ndaj nuk pranojnë të dalin nga shtëpitë e tyre.

Pronarët reagun menjëherë. Në një deklaratë për mediat, Nadire Qinami tha se është pronare e ligjshme e tokës pasi këtë hapësirë e ka blerë në vitin 2005 me dokumenta të rregullta nga ish-pronari Kurt Xhepa, i cili sot nuk jeton më.

Sipas saj bëhet fjalë për 1885 m/katrorë truall dhe 285 m/katror godina e cerdhes dhe 330 m/katror truall dhe 70 m/katror që janë në pronësi të një familje tjetër, por që zonja Qinami ka firmosur me ta një kontratë për të ndërtuar mbi hapësirën e tyre private.

Biznesmenia e njohur ka akuzuar banorët se nuk janë të pastrehë sic kanë deklaruar, por disponojnë shtëpi, ndaj u ka bërë thirrje forcave të policisë të mbështesin zbatuesin e përmbarimit gjyqësor për lirimin e pronës.

Një banore e godinës së cerdhes ka kërcënuar se do të vetflijohet nëse policia hyn në godinë. Ajo është ngjitur në tarracën e banesës me një bombol gazi pranë dhe një shkrepse. Vetëm rreth orës 16:00 është ndërhyrë me fadroma brenda godinës ku është prishur muri rrethues i saj.

Durrës, banorët nxirren jashtë

                
Të pastrehë dhe në pamundësi për të përfituar kredi nga bankat për shkak të garancive të pamjaftueshme financiare, shumë familje durrsake rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur në këtë mot të ftohtë.

Përmbarimi dhe Policia e Shtetit në Durrës kanë vijuar me nxjerrjen e këtyre familjeve nga banesat e ish-pronarëve duke u krijuar atyre pasiguri për jetën. Një kryefamiljare me profesion mësuese është mbyllur në banesë dhe deklaroi se vetëm e vdekur do të dilte prej banesës prej 1 dhome në lagjen numër 3 të Durrësit.

10 ditë më parë Përmbarimi dhe policia dështuan në lirimin e banesave e godinës numër 97 në këtë lagje pasi familjarët nuk pranuan të dalin në prag të ndërrimit të viteve.

Situata është mjaft kritike për familjet e strehuara në këtë godinë të cilat nuk kanë asnjë mundësi tjetër strehimi dhe kërkojnë që t’u jepet kohë deri sa Bashkia e Durrësit t’u sigurojë një strehë.

Top Channel