Një person ka humbur jetën ditën e hënë në qytetin e Beratit pas një
konflikti mes të rinjve që ka degjeneruar në përdorimin e thikave.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Dëshmorët e Kombit” të qytetit, ku pas një sherri për motive banale me dy bashkëmoshatarë të tij, është vrarë me thikë 21 vjeçari Elidon Zotkaj. Mësohet se i riu është qëlluar disa herë me mjetin prerës në organet jetësore, çka i ka sjellë vdekjen e menjëhershme.
Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka arrestuar autorin e vrasjes, Erjon Myftiu ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërkohë, në kryeqytet, një sherr mes adoleshentësh ka degjeneruar në përdorimin e thikave duke sjellë plagosjen e tyre.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të paradites, pranë shkollës ‘Besnik Sykja’, ku si pasojë e përdorimit të thikave janë plagosur dy adoleshentë identiteti i të cilëve nuk bëhet me dije. Të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Top Channel