Hetimet për vdekjen e vajzës

30/12/2012 00:00

Prokuroria e Durrësit deklaron zgjerimin e hetimeve për mjekim të pakujdesshëm ndaj një mjeku në këtë qytet, por edhe ndaj ekipit të mjekëve të qendrës spitalorë në Tiranë, të cilët dyshohen se nuk kanë respektuar detyrën në momentin që 7-vjeçarja Arsela Vladi ka ndërruar jetë.

Sipas burimeve të Top Channel pranë grupit të hetimit, mjekët kanë detyrimin ligjor që në rastet e vdekjeve që ndodhin brenda këtyre mureve të njoftojnë autoritetet përkatëse të hetimit, por edhe të kryejnë autopsinë. Ne kemi dyshime, tha një burim, se asnjëra nga këto detyrime nuk është ndjekur nga mjekët në kryeqytet, pasi organi i hetimit nuk është vënë në dijeni nga një kallëzim i tillë që duhet të bëhet nga spitali dhe as nga një kallëzim i mundshëm i prindërve, por nga mediat.

Gjithashtu, mjekët nuk kanë proceduar me bërjen e autopsisë dhe ky pretendim i prindërve do të jetë gjithastu pjesë e hetimeve, saktësoi për Top Channel një burim zyrtar. Grupi i hetimit ka bllokuar kartelat në të dyja spitalet, në Durrës dhe Tiranë dhe pritet që fillimisht të thërrasë për të marrë dëshminë e dy prindërve të vajzës 7-vjeçare, nxënëse në klasën e dytë për violinë në shkollën e muzikës në Durrës.

Një ditë më parë, autoritetet shëndetësore njoftuan pushimin nga detyra të mjekut pediatër Rasim Lusha, por paralajmëruan edhe komunikimin për pezullimin nga detyra të shefes së pediatrisë dhe shefes së laboratorit.

Vogëlushja ndërroi jetë në Tiranë pas injektimit në spitalin e Durrësit të  serumit me glukoze, në një kohë që 7-vjeçarja ishte diabetike e ndërsa familja e saj nuk e dinte, mjekët dyshohen të kenë kryer mjekimin e pakujdesshëm që i solli asaj vdekjen.

Top Channel