Kërcënimet nga krerët e shtetit në Serbi për heqjen me dhunë të lapidarit të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare për Preshevën, Medvegjën e Bujanocit kanë tensionuar situatën në këtë zonë ku jetojnë shqiptarët në Serbi.

Pas kryeministrit, presidenti Tomisllav Nikoliç ka thënë që ky simbol përkujtimor duhet hequr pasi është e ndaluar me ligjet në Serbi.

“Përmendoren ta heqin vetë shqiptarët në jug të vendit dhe liderët e tjerë nëse duan të tregojnë që janë të përgjegjshëm. Në rast të kundërt, ajo do të hiqet në mes të ditës për të treguar se ndalohet nga ligjet serbe”, deklaroi Nikoliç.

Preshevën, për herë të parë e ka ndihmuar edhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, duke ftuar homologun dhe së fundmi bashkëbiseduesin e tij të Brukselit, Ivica Daçiç të mos luajë me Preshevën.

Megjithatë, Riza Halimi, deputetët në Kuvendin e Serbisë i ka çuar porositë e tij përmes mediave serbe për qeverinë, ndërsa në “Top-Channel”, thotë se UÇPMB ka qenë reagim i arsyeshëm i shqiptarëve kundër presionit të atëhershëm të forcave serbe.

““Që nga kryengritja e shqiptarëve në vitin 2000-01, që ishte një reaksion normal ndaj dhunës së ushtruar nga forcat militare serbe, ne faktikisht, në terren, shumë më tepër kemi ndjekur veprime të jashtëzakonshme, si prezencën e forcave speciale të policisë, se sa ndonjë projekt zhvillimor në interes të popullatës sonë”, deklaroi Halimi.

Qytetarët, pas shumë dezinformatave, janë në ankth për veprimet e mundshme. Daçiç ka deklaruar se nuk do të vazhdojnë bisedimet me Kosovën nëse nuk hiqet lapidari. Por, Halimi përgjigjet se askush nuk ka qenë në gjyq për Luginën e Preshevës dhe vrasjen edhe të civilëve.

“Nga ajo që japet në rrugë zyrtare, dëshmorët e këtij populli trajtohen si terroristë, ndërsa popullata trajton si terroristë të gjithë ata që janë vrarë, jo vetëm në luftë, por edhe viktimat e shumta në civilë”, theksoi Halimi.

Lapidari i dëshmorëve para Kuvendit të Preshevës është vënë nga veteranët dhe është kërcënuar në vazhdimësi me rënim nga Beogradi. Është vendosur pa aprovim, por Serbia përkundër amnistisë me marrëveshjen e Konçulit i quan shqiptarët vrasës.

Reagimet për monumentin

Pas kërcënimeve nga drejtues të shtetit të Serbisë se nëse pllaka përkujtimore e vendosur në Preshevë nuk largohet me dëshirë, atëherë do të të ndërhyjnë me forcë për ta larguar atë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që të sillet në mënyrë europiane.

Sipas Haradinajt, edhe Serbia duhet të sillet ngjashëm siç bënë Kosova për të njëjtën çështje. “Beogradi dhe Kosova duhet të udhëhiqen nga vlera europiane dhe të sillen në atë mënyrë. Dallueshmëria midis nesh nuk na varfëron, por pasuron. Shpresojmë, që ashtu si kosovarët, edhe serbët të përdorin kritere europiane”, theksoi Haradinaj.
Deklarata e Haradinajt erdhi pas takimit në selinë e tij me liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Këtë të fundit, nuk kanë qëndrim të përbashkët se çfarë do të bëjnë në rast se Beogradi zyrtar ndërhyn me forcë për ta larguar pllakën përkujtimore kushtuar ish-ushtarëve të UÇPMB-së.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se nuk do t’i përgjigjen vandalizmit në mënyrë të njëjtë, kurse, ish-përfaqësuesi politik i UÇPMB-së, tani lider i partisë opozitare Lëvizja e Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, thotë se nuk ka forcë që do ta largojë atë pllakë.

“Konsideroj shqiptarët janë zotuar që problemet t’i zgjidhin në mënyrë paqësore, me mirëkuptim dhe dialog, duke apeluar faktorit ndërkombëtar. Ne nuk do t’i përgjigjemi forcës me forcë, vandalizmit me vandalizëm, por do të kërkojmë mbështejen në Kosovë, në Shqipëri, si institucione bazë për mbrojtjen e shqiptarëve, ashtu edhe institucioneve ndërkombëtare”, deklaroi Mustafa.

“Nuk ka forcë, e them edhe një herë, që mund ta lëvizë atë pllakë. Është tokë shqiptare, vend i shqiptareve, nuk është vënë diku në Serbi, natyrisht që ajo pllakë do të mbrohet, e kanë thënë edhe përfaqësues të tjerë”, Jonuz Musliu.

Sido që të jetë, gjatë këtij takimi u bisedua edhe për mënyrën se si Kosova të ndihmojë shqiptarët e asaj pjese, dhe sipas kreut të AAK-së ekziston mundësia që Kosova të investojë në projekte, siç tha ai, pa ndëryrë në rregullimin shtetëror të Serbisë.

Top Channel