Sekuestrohen cigaret kontrabandë

27/12/2012 00:00

Një konteiner me cigare që kapnin një vlerë prej afro 500 mijë eurosh është sekuestruar në zonen doganore të portit detar të Durrësit.

Konteineri me 945 koli cigaresh qëndronte në zonën doganore pa kryer asnjë proçedurë zhdoganimi. Prania e tij ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve, të cilat kanë ndërhyrë duke e hapur dhe nisur hetimet mbi të.

Mbrëmjen e së mërkurës është konstatuar sasia e cigareve, ndërsa organi i akuzës ka nisur hetimet për kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Deklarohet se detyrimi doganor për sasinë e mallit të importuar nga Singapori dhe të vendosur nën sekuestro mbrëmjen e kaluar kap vlerën e rreth 250 mijë eurove.

Më herët gjatë muajit, një anije me marinarë shqiptarë që transportonte cigare kontrabandë u sekuestrua në portin Kisamos, në ishullin e Kretës. Autoritetet thanë se ngarkesa kishte dokumenta shoqëruese të falsifikuara.

Hetimet e kryera prej shërbimeve sekrete dhe anti-krimi financiar i policisë greke çuan në sekuestrimin e një sasise prej 2.600 koli cigaresh të fshehura në hambaret e anijes “Noah”, me flamur moldav.

Policia arrestoi shtetasit shqiptarë Ismail Memolla, Llazi Silo, Urim Cane, Sokol Lata dhe Petrit Prifti. Siç raportoi korrespondenti ynë në Athinë, gjykata greke vendosi t’i ndjekë personat në fjalë penalisht për akuzën e kontrabandës.

Autoritetet thanë se i dhanë një goditje të fortë kontrabandës së cigareve në Mesdhe. Sipas tyre, vlera e akcizës së mallit i kalonte 1 milion euro. 

Top Channel