Raporti i Komitetit të Helsinkit

21/12/2012 00:00

Krimi ndaj femrës ishte në fokus të shqetësimeve të ngritura nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit gjatë prezantimit të raportit 1-vjeçar mbi problematikat e hasura në monitorimet e këtij komiteti.

Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit i bëri thirrje shtetit shqiptar që të shtojë masat parandaluese, por edhe të kryejë një studim për të gjetur shkaqet e këtij fenomeni.

“Gjatë vitit 2102 ishte flagrante dhe makabre vrasja e 24 grave, ndonëse ndonjëra prej tyre ishte me urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu ishin vdekja e të dënuarit A.R pranë burgut të Shën Kollit, më shumë se 11 vrasje për gjakmarrje, vrasja e pastorit D. Prroni, disa persona të zhdukur dhe të pagjetur, vetëflijimi, rasti i papreçedent me pasojë vdekjen i njërit prej tyre”, deklaroi kryetarja Vjollca Meçaj.

“Të gjitha këto dëmtime do ishin parandaluar nëse shteti do kishte kryer detyrën e tij. I bëjmë thirrje shtetit që jo vetëm të garantojë më mirë të drejtën e jetës, por edhe të ndërmarrë një studim për të gjetur shkaqet dhe të shtojë masat parandaluese”, theksoi Meçaj.

Zonja Meçaj deklaroi se Komiteti Shqiptar i Helsinkit po ndjek me shqetësim çështjen e ish-të dënuarve politikë dhe grevën e tyre se si u trajua nga policia.

“Ne jemi të shqetësuar jo vetëm me veprimet e policisë, por edhe me preçedentin e gjykatës që urdhëroi shpërndarjen duke mos patur kompetencë. Ne kemi përgatitur ankesën dhe jemi në pritje të ankimimit”, nënvizoi Meçaj.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti zërin edhe për pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili la në fuqi aktin normativ të qeverisë për lirimin e banesave ish-pronarëve.

“Nxjerrja në rrugë e dhjetra familjeve në 24 dhjetor, në prag të festave të fundvitit, është një veprim jo human. Çështje të tilla nuk mund të zgjidhen me porçedura të unifikuara”, shtoi Meçaj.

Top Channel