LSI: Transparencë për mandatet

21/12/2012 00:00

Petrit Vasili, nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një
intervistë për Top Channel thotë se kur vjen puna për çështjet
zgjedhore, siç është edhe rasti kalimit të një mandati nga Qarku i
Beratit në atë të Kukësit, duhet të dominojë transparenca.

“Nuk është problemi i një shqetësimi që ka të bëjë me një kalkulim elektoral të caktuar, i cili i prishka punë LSI-së, absolutisht jo për këtë nuk kemi asnjë shqetësim.  Shqetësimi i vetëm dhe parimor është që çdo ndryshim mandatesh, heqje këtu apo vënie diku duhet të ndodhë në shenjën e transparencës së plotë dhe argumentimit, i cili nuk le vend për asnjë keqinterpretim”, thotë Vasili.

Votimi i deputetëve të LSI-së pro ngritjes së Komisionit Parlamentar për të hetuar të dhënat e ofruara nga Drejtoria e Gjendjes Civile, për kalimin e një mandati në qarkun Kukës, zoti Vasili nuk e sheh si një bashkim bashkim votash me PS.

“LSI nuk ka bashkuar votat me kërkënd, por ka shprehur vullnetin e saj si cdo forcë politike përballë një nisme të caktuar. Nisma e ndërmarrë kishte të bënte në thelbin e saj parimor me bërjen e plotë të transparencës lidhur me çështjen e mandateve, argumentave që e kishin shtyrë këtë ndryshim dhe njëherazi argumentimin jo të plotë të këtij ndryshimi. Komisioni hetimor ishte një mundësi për të zgjidhur dhe hedhur transparencë të plotë e davaritur çdo lloj hamëndje dhe dyshimi apo rezerve që ekzistonin. Ndaj ne e mbështetëm në emër të transparencës të plotë lidhur me këtë çështje”, tha Vasili.

Moslejimi ngritjes së Komisionit Hetimor a është një e drejtë e mohuar opozitës? Kjo është përgjigjja e nënkryetarit të LSI-së: Mendoj se cështja konkrete kërkontë transparencë. Për të qëne objektiv iniciativa të caktuara të ndërmarra nga opozita në kohë të ndryshme jo vetëm të kësaj opozite që është aktualisht, por edhe të opozitave më parë dhe kur ishte PD nuk janë një ngjarje e re për parlamentin shqiptar. Por sensibiliteti jashtëzakonshëm që ekziston dhe plotësisht i motivuar për zgjedhje sa më të mira dhe të regullta, transparente dhe të pakontestuara do të kërkonte që ky Komision për këtë çështje konkrete të miratohej.Në këto raste mosmiratimi i të tilla nismave janë më tepër një shans i humbur sesa një shans i fituar”.

Top Channel