Prishtina zyrtare është në pritje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika Islamike e Pakistanit. Bëhet fjalë për një vendim që do të merret brenda pak ditësh, bëjnë të ditur burime zyrtare brenda institucioneve.

Lajmi se Pakistani nuk do të vonojë në njohjen formale të pavarësisë së Kosovës i ishte komunikuar fillimisht ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj në nëntor të këtij viti, në takimin me ministren e Jashtme të Pakistanit, Hina Rabbani Khar.

Hoxhaj po merrte pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Pakistani ka një popullsi prej 157 milionë banorësh.

Njohja e pavarësisë nga ky shtet vlerësohet si mjaft e rëndësishme për faktin që mund të ketë një rol të jashtëzakonshëm në organizatën islamike, ku një pjesë e shteteve nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më herët gjatë muajit ishte shteti i Dominikës (Commonwealth of Dominica) që njohu pavarësinë e Kosovës, duke konfirmuar vendimin e tij përmes një note zyrtare që i dërgoi Ministrisë së Jashtme në Kosovë.

Nota në fjalë u pranua nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe bashkë me të ishte dërguar edhe një letër në adresë të presidentes Atifete Jahjaga.

“Në emër të popullit tonë është kënaqësi t’ju njoftojmë se Dominika njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, thuhej në notën verbale.

Ndërsa muajin e kaluar në Ministrinë e Jashtme të Kosovës mbërriti nota verbale që zyrtarizonte njohjen e shtetit ballkanas nga Republika e Fixhit.

Po muajin e kaluar, ministri Hoxhaj mori garanci nga homologu iraken Hoshyar Zebari se Iraku do të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Top Channel