Familja e 38-vjeçarit: Adoleshenti e vrau për ta grabitur

21/12/2012 00:00

Familja e 38-vjeçarit nga Pogradeci, babai i dy fëmijëve, i cili u gjet i
vrarë dhe i hedhur në një përrua, dyshon se 19-vjeçari i arrestuar nuk
ka qenë i vetëm në momentin e vrasjes dhe se ai ka gënjyer për motivin e
krimit.

Gjithçka mendohet se është kryer për grabitje, pasi viktima ka pasur 200 mijë lekë me vete kur është vrarë. Familjarët e tij e mohojnë faktin se djali i tyre është vrarë për qëllime banale.

“Erjoni ka pasur me vete 200 mijë lekë natën kur nuk është kthyer në shtëpi. Ne nuk e besojmë variantin e dhënë nga policia se ngjarja ka ndodhur për shkaqe banale. Ne besojmë se 19-vjeçari e ka parë se kishte para me vete dhe e ka vrarë për ta grabitur. Madje, ai nuk ka qenë i vetëm, por policia duhet të zbulojë bashkëpunëtorët e tij”, janë shprehur familjarët e viktimës, duke denoncuar këtë fakt që, sipas tyre, ia kanë pretenduar edhe prokurorisë, e cila drejton hetimet për këtë çështje.

Familja e Erjon Ibit i kërkon drejtësisë të zbardhë të vërtetën, pasi, sipas tyre, 19-vjeçari Xhensil Lipo s’mund ta masakronte i vetëm Erjonin. 38-vjeçari nga Pogradeci është gjetur në një kanal paraditen e dy ditëve më parë, në fshatin Çërravë, ndërkohë që vetëm pak orë më vonë u realizua zbulimi dhe kapja e autorit të dyshuar të krimit. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, blutë kanë vënë në pranga 19-vjeçarin Xhensil Lipo. Sipas hetuesve të çështjes, ngjarja ka marrë shkas për motive banale. Megjithatë, pas pretendimeve të familjarëve, prokuroria tha se po heton edhe për një grabitje të mundshme nga ana e të arrestuarit, por nuk ka prova për të faktuar diçka të tillë. Vetë i arrestuari, i cili ka pranuar krimin, ka deklaruar në polici se e kishte vrarë 38-vjeçarin, pasi e shikonte shtrembër dhe e ofendonte. “Më ofendonte sa herë më shikonte. Nuk durova dot më edhe për shkak të alkoolit që kisha konsumuar. Kur dolëm nga lokali, e ndoqa nga pas. Ai po shkonte në shtëpi. Mora një gur dhe e qëllova pas koke. Ai ra përdhe. Më pas mora një dru dhe e godita disa herë. U mbush vendi me gjak. E tërhoqa nga rruga, aty ku e vrava dhe e çova në përrua. Sipër i hodha disa degë të thata, disa barishte dhe mbeturina, me qëllim që kur të zbardhte mos ta shikonte njeri. E kam bërë vetëm vrasjen”, është shprehur 19-vjeçari Xhensil Lipo

Top Channel