Pas debatit të një dite më parë në Kuvend, qeveria i është rikthyer sërish raportit të institutit amerikan Global Financial Integrity mbi flukset e jashtëligjshme të parave.

Ministri i Financave Ridvan Bode ka dashur të sqarojë se sipas këtij raporti, Shqipëria është vendi me nivelin më të ulët të parave të pista në rajon.

“Ky është grafiku për vendet, ku Serbia ndodhet në vendin e 16-të, me 5 miliardë dollarë në vit. Pastaj vijnë Bullgaria me 1.5, Kroacia me 1.5 dhe Mali i Zi me 1 miliard. Shqipëria është e fundit pas Maqedonisë”, deklaroi Bode.

Zoti Bode tha se, ndryshe nga pretendimet e opozitës, raporti jo vetëm që nuk e nxin imazhin e qeverisë dhe vendit, por i bën nder atij.

“Dola për të sqaruar se ky raport, me të cilin opozita synon të përbaltë qeverinë, në realitet tregon që Shqipëria ndodhet në nivel të përparuar”, nënvizoi Bode.

Sipas tij, evazioni dhe trafiku kanë lulëzuar në Shqipëri në kohën kur qeverisnin socialistët, kur Banka Botërore e përllogariste evazionin 1.4 miliardë dollarë në vit.

Raporti i institutit amerikan Global Financial Integrity përfshinte një peirudhë dhjetëvjeçare që nis në vitin 2001. Sipas këtij raporti, gjatë katër viteve të para, 2001 deri në 2004, shifra e parave të dala jashtë Shqipërisë ka qenë zero.

Ndërsa në gjashtë vitet e fundit, 2005-2010, në total nga Shqipëria u transferuan 1.3 miliardë dollarë para të jashtëligjshme, burimi kryesor i të cilave sipas hartuesve është evazioni dhe trafiqet.

Top Channel