“Blloku blu”, PS shton akuzat

21/12/2012 00:00

Nga selia rozë, deputeti Taulant Balla i bëri një përmbledhje të
ardhurave që kanë përfituar fëmite e Kryeministrit Berisha, Shkelzen dhe
Argita Berisha së bashku me bashkëshortin e saj Jamarbër Malltezi,
bazuar në deklarimet zyrtare që ata kanë paraqitur.

“Në total, duke i marrë së bashku për një vit, sipas situacionit të mësipërm te vetëdeklaruar, djali i Kryeministrit Shkelzen Berisha dhe vajza e Kryeministrit Argita Berisha, kanë shtuar pasuritë e tyre me 1 miliard e 34 milionë lekë. Mbi 1 miliard shtesë në pasuri ne një vit.Dua ta bëj të qartë, 1 miliard është vetëm shtesa e pasurive në një vit.Ndërkohë që vlera e plotë e pasurisë është shumëfish i miliardit.Në të njëjtin vit kanë rënë në varfëri me dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilëve fatkeqësisht këtë vit tjetër krize do t’u shtohen dhjetëra mijëra të tjerë sipas Bankës Botërore.Varfëria dhe kriza janë sot probleme të të gjithëve, por jo probleme të familjes biologjike në pushtet. Pasurimi i familjes Berisha në këtë kohë krize është një shuplakë e rëndë për të gjitha familjet e tjera të këtij vendi, ndaj të cilave Sali Berisha duhet të kthejë disa përgjigje”, tha Balla.
 
Deputeti Balla ka shprehur vendoshmerine e tij dhe te PS per te vijuar berjen e transparences ndaj pasurive te Kryeministit Berisha dhe familjareve te tij, pavarësisht atyre qe deputeti socialist i quajti kercenime.

“Dua t’i them sot Sali Berishës, të heqë dorë nga çdo lloj formë kërcënimi, ndaj meje dhe ndaj familjarëve të mi.Dua ta bëj të qartë që Saliu ta marrë vesh mirë, që nuk ma mbyll dot gojën me kërcënime. Po ka argumenta t’i thotë, kërcënimet nuk i pijnë ujë me mua.Sali Berisha duhet t’ju sqarojë shqiptarëve se si dy fëmijët e tij arrijnë të fitojnë 1 miliard lekë në një vit? Si ka mundësi të pasurohet në këtë mënyrë dy mësues, ndërkohë që gjithë mësuesit e tjerë nuk mbyllin dot muajin? Si mund të rrisë depozitat biri i Kryeministrit me 100 mijë Euro më shumë se të ardhurat e deklaruara?Si ka mundësi që një aktivitet i mjegullt si “aktiviteti me prona të paluajtshme” të sjellë të ardhura të tilla për dikë që sapo ka mbaruar shkollën? Si ka mundësi që ndërsa të gjithë shqiptarët varfërohen, vetëm një familje biologjike dhe politike pasurohet?, tha Balla.

Ne fund te deklarates Taulant Balla theksoi se familja e kryeministrit Sali Berisha  nuk është në krizë, madje ajo është në një valë pasurimi prej vitesh ndersa kriza është për të gjithë familjet e tjera shqiptare, që nuk arrijnë të shtyjnë muajin pa marrë borxh.

Top Channel