Berisha kremton festat me fëmijët romë

21/12/2012 00:00

Kremtimin e festave të fundvitit vogëlushët e përjetojnë më shumë se kushdo dhe ajo që nuk mungon në festa të tilla është pema e Krishtlindjeve. Një e tillë është vendosur për fëmijët e komunitetit rom përpara Galerisë së Arteve.

Dritat e saj i ndezën bashkë me fëmijët, kryeministri Sali Berisha dhe zonja e tij, të cilët zgjodhen të nisin festimet pikërisht me vogëlushët e këtij komuniteti.

Përpos urimeve, kryeministri Berisha siguroi përmirësin e jetës së të gjithë fëmijëve, veçanërisht atyre të komunitetit rom. Gjatë festës u shpërndanë edhe dhurata për fëmijët.

Zonja e parë feston me jetimët e fshatit Sos

Ndërkohë, zonja e parë e Shqipërisë, Odeta Nishani festoi sot festat e fundvitit me fëmijët e fshatit Sos. Në ambjentet e këtij fshati u organizuan aktivitete zbavitëse dhe u shpërndanë dhurata të përgatitura nga zonja Nishani.

Ajo theksoi rëndësinë e kësaj moshe në krijimin e karakterit të njeriut, si dhe domosdoshmërinë e përkushtimit ndaj shkollës dhe dijes.

Zonja Nishani ftoi katër fëmijë që të kalojnë natën e ndërrimit të viteve me familjen presidenciale dhe inkurajoi të gjithë shqiptarët që të kryejnë gjeste të tilla bamirësie në ndihmë të familjeve dhe fëmijëve në nevojë.

Top Channel