Patozi: Për koalicionin nuk lutemi

20/12/2012 22:15

Ndërsa vitit 2012 po i vjen fundi, Shqipëria rikalon momentet kryesorë të këtij viti, duke nisur nga 100-vjetori i pavarësisë, avancimi drejt statusit të vendit kandidat, emërimi i Presidentit të Republikës, krerët e shumë institucioneve të tjerë dhe shumë ngjarjeve të tjera politike.

Njëkohësisht, fundi i vitit 2012 sjell edhe fundin e vitit të fundit të plotë në mandatin aktual të qeverisjes, që do të testohet në zgjedhjet e përgjithshme në 23 qershor 2013.

Për të rikaluar momentet kryesore të vitit dhe mbi të gjitha, për të folur për aktualitetin e politikës shqiptare dhe përballjen vendimtare të 6-muajve të ardhshëm, në emisionin e përjavshëm të Sokol Ballës, në “Top-Story”, mbërriti numri dy i Partisë Demokratike, nënkryetari i saj dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të mazhorancës, zoti Astrit Patozi.

Buxheti i 2013-s

Duke nisur nga buxheti, i miratuar më parë gjatë ditës së enjte në Parlament me vetëm votat e shumicës, Patozi dha vlerësimin e tij, duke e konsideruar këtë buxhet si më realistin dhe të përgjithshmin ndonjëherë të maxhorancës së tij. “Unë besoj se ky është buxheti më realist që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto shtatë vjet. Është më realisti dhe jo më entuziasti. Ky është një buxhet që i përgjigjet ritmit të ekonomisë shqiptare. Ky është një buxhet që tenton dhe do t’ia dalë, në vlerësimin tim, që të mbajë ekonominë shqiptare të padëmtuar rëndë nga kriza ekonomike në rajon dhe Europë. Ky është leximi që unë i bëj buxhetit të shtetit. Ne jemi nën presionin e një krize globale dhe ky është buxheti realist që na duhet”.

”Buxheti, asnjë ndarje elektorale”

Përballë kritikave nga disa drejtues lokalë, për mënyrën e shpërndarjes së fondeve, Patozi mohoi që Partia Demokratike të bëjë një diskriminim ndaj qarqeve, në bazë të përqindjes së elektoratit që e voton. “Buxheti ka ndryshuar në shumë gjëra të tij pas diskutimit në parim, por në këto shtatë vjet, nuk është bërë asnjë diskriminim i asnjë rrethi. Nëse fondet ulen në Vlorë, të jeni të sigurt që kjo ndodh edhe në Shkodër. Personalisht, mirëkuptoj drejtuesit lokalë që kërkojnë më shumë fonde nga arka e shtetit, por këto janë mundësitë. Do të donim të kishim buxhetin e Austrisë apo Holandës, por ja që nuk e kemi dhe duhet të përshtatemi me këto të ardhura që kemi. Megjithatë, ju siguroj se nuk ka asnjë shpërndarje elektorale të buxhetit, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë”.

Ndryshimi i hartës elektorale

Heqja e një deputeti në rrethin e Beratit u kritikua në këto ditë nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ndërsa Partia Socialiste akuzoi për një “deformim të shifrave demografike”, në atë që është manipulimi i parë i këtyre zgjedhjeve. Këtyre kritikave, zëvendëskryetari i PD-së u përgjigj: “Ligji thotë se lëvizjet demokratike, sjellin ndryshimin e mandateve, kur kjo lëvizje kapërcen kufijtë e domosdoshëm ligjorë dhe dokumentohet nga zyrat e gjendjes civile gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme. Ne Shqipërisë do i adresohemi kështu siç është, një vend dinamik e në lëvizje dhe jo ashtu siç do të donim të ishte. Ne gjithashtu do të donim të ishte harta e ndryshme, por ligji është ai që dikton. Mendoj se është një debat i panevojshëm dhe nuk besoj se zoti Meta ka qenë në vijën e parë të këtij pretendimi, i cili ka qenë pretendimi kryesor i PS, që ka arsye krejt të tjera nga ato të Metës. Arsyet e PS-së janë të thjeshta, kërkon të sabotojë, të dëmtojë procesin e zgjedhjeve 7-muaj përpara se ato të mbahen. Kjo është edhe historia e komisionit të famshëm parlamentar për hetimin e gjendjes civile të Kukësit, një nonsens logjik nga ana e tij”.

Ballafaqimi census-gjendje civile për Kukësin

Në akuzat e saj, Partia Socialiste ka akuzuar maxhorancën për deformim të shifrave aktuale demografike, me qëllime elektorale, duke përdorur si argument shtimin e “beftë” të numrit të banorëve në disa rrethe të Kukësit, shtim i cili konfirmohet nga zyrat e gjendjes civile, por që kundërshtohet nga të dhënat e përgjithshme të censusit të 2011-s. “Censusi është një proces vetdeklarimi, është orientues për qeverinë, ndërsa gjendja civile është një realitet juridik, ndaj nuk mund të negociohet. Jo të gjithë shqiptarët e kanë njësoj këtë trend. Pse nuk lëviz ky marzh në Vlorë, Berat, Fier e rrethet e tjera. Nuk është e gjithë Shqipëria ajo që ndryshon, por ka ndodhur një korrigjim në vetëm 2-3 zona. Nga ana tjetër, më duket e trishtë se si një parti që pretendon të vijë në pushtet të nisë fushatën duke u qarë”, deklaroi Patozi.

Aleanca aktuale PD-LSI, vazhdimi në 2013-n, sinjalet e Metës mbi një shkëputje më vete në zgjedhje

Në vazhdim të bisedës në “Top-Story”, vëmendja u përqendrua tek koalicioni aktual PD-LSI dhe mundësia e vazhdimit të kësaj aleance edhe pas zgjedhjeve të 2013-s. i pyetur për një deklaratë të mëparshme, në të cilën Patozi kishte cilësuar aleancën me LSI-në si jo të dëshiruar, por të imponuar nga rrethanat, nënkretari i PD-së theksoi: “Nuk besoj se kam thënë pikërisht kështu. Ajo që kam qenë i bindur që kam thënë është se kjo aleancë ishte një aleancë e panatyrshme, por jo e sforcuar. Unë i qëndroj bindjes që ishte një precent i ri politik pozitiv për Shqipërinë, sepse ishte krijuar një përshtypje se blloqet politike ishin shndërruar në kampe armiqësore me njëri-tjetrin, me kufijtë e kalcifikuar që nuk mund të prekeshin”.

”Përsa i përket vazhdimësisë së kësaj aleance, nuk ka rëndësi mendimi im, kjo i takon palëve”, shtoi Patozi. “Janë forumet e palëve ato që do të vendosin. Ne sot kemi një marrëveshje funksionale që ka edhe 6-7 muaj skadencë. Çdo bëhet më tej mbetet për t’u parë. Ne kemi pasur një koalicion që në një farë mënyre ka funksionuar, jo perfekt, këtë nuk e them dhe i ka dhënë vendit një qeverisje të qëndrueshme. Ky koalicion është i testuar e ka marrë një rezultat prej 140 mijë votash në rang vendi. Pa dyshim, aleancat parazgjedhore priren drejt simpatisë, ndërsa ato paszgjedhore shohin më shumë interesin. Të dyja janë të mundshme dhe politike, ne jemi në një koalicion që unë uroj të vazhdoj, por siç thashë, për këtë nuk vendos as unë, as kryeministri dhe as lideri i LSI-së, por forumet e të dy partive”.

I pyetur gjithashtu për sinjalet e ardhura nga Lëvizja Socialiste për Integrim, që së fundmi ka ashpërsuar tonet ndaj qeverisjes dhe duket se po mendon seriozisht mundësinë e konkurrimit e vetme në zgjedhje, Patozi deklaroi: “Nuk flitet për diçka reale, por për një hipotezë. Sa kohë është e tillë nuk mund të jap përcaktime të prera. Por duke e marrë të mirëqë, ne nuk i imponohemi njeriu për aleanca. PD është e përgatitur për të gjitha skenarët. PD është e përgatitur të fitojë edhe e vetme, në sensin pa një aleat më shumë apo më pak. Pa dyshim, ne nuk imponohemi dhe aq më pak nuk lutemi”.

Kritikat ndaj aleatëve të vegjël në qeverisje

I përballur me kritikat e shpeshta, të disa sektorëve të shtypit dhe analistëve për qeverisjen e keqe të partive të vogla aleate të PD-së në pushtet, Patozi komentoi: “Ne nuk e mendojmë humbjen dhe ne nuk do të justifikohemi në çdo rast. Gjithsesi, ne nuk ankohemi pasi nuk kemi ku të ankohemi. Ndryshe është pala tjetër, që e ka në gjenetikën e vet ankimin. Rama ankohet jo vetëm nga kundërshtarët, por edhe ndaj komisionerëve të vetë dhe ne nuk e kemi këtë mentalitet. Besojmë se do të fitojmë zgjedhjet e 2013-s, por nëse partitë e vogla, pa ndonjë ekzagjerim në trajtimin që i bëjnë pushtetit krijojnë probleme, kjo nuk ndodh as për herë të parë dhe as jo vetëm në Shqipëri. Ka mospërputhje mes peshës dhe përgjegjësisë, që i vogli kërkon më shumë pushtet dhe më pak përgjegjësi, por kjo është përgjegjësi e jona, sepse jemi ne ata që qeverisin”.

Sondazhet që japin parti më të votuar në zgjedhje Partinë Socialiste

”Unë e thashë që nuk ka sondazh më të mirë se sa zgjedhjet dhe nuk ka testim më të mirë se komunikimi i përditshëm me qytetarët, gjëra që i kemi parasysh. Një sondazh sot dhe një pasnesër nuk do të thonë asgjë. Sa më shumë të afrohen zgjedhjet, aq më shumë do të rriten sondazhet, e nuk ia vlen të merresh me këtë. Sondazhi i fundit në Shqipëri janë zgjedhjet e 2011-s, kur Rama ka 140 mijë vota mangut dhe ka humbur Bashkinë e Tiranës”, komentoi krytetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mbi një sondazh të publikuar disa ditë më parë në shtyp e që jepte fituese Partinë Socialiste, me disa përqind përpara Partisë Demokratike dhe të ndjekur nga Aleanca Kuqezi si forca e tretë më e madhe.

”Krisja” e koalicionit me PDIU-n

Në ditët e fundit, kryetari i PDIU-t, Shpëtim Idrizi, i paraqiti një rezolutë për çështjen çame Parlamentit, duke e kushtëzuar votimin e saj me vazhdimin e mbështetjes së këtij koalicioni në Parlament. “Kjo nuk është e vërtetë. E vetmja e vërtetë është që ka një nismë nga dy deputetët e PDIU-së, që janë në koalicion me ne”, nisi përgjigjen e tij Patozi. “Kjo projektrezolutë do të shqyrtohet me vëmendjen e duhur nga grupi ynë parlamentar dhe kjo do të ndodhte edhe sikur propozimi të mos vinte nga aleatët tanë. Nuk besoj se ka pasur presion, por edhe mund të ketë, kjo nuk mund të përjashtohet”.

I pyetur për momentin që vjen kjo nismë e çamëve, në një çast të rigjallërimit të frymës patriotike pas festave të 100-vjetorit të pavarësisë, Patozi shtoi: “Ka një predispozitë pozitive për rezolutën dhe unë kështu shpreha pikëpamjen time. E dyta, nuk ka kontrast mes qeverive të ndryshme, çështja kombëtare është një dhe vetëm një. Nuk konsideroj as gjëra të reja dhe as befasi, sepse është një vazhdimësi nga viti 90 e këtej. Zoti Berisha ka qenë konstant në raport me çështjen shqiptare. Berisha nuk mund të hapë një garë për nacionalizmin e para dhe e dyta, nuk ka me kë konkurron, sepse pala tjetër ka zënë cepin dhe thotë po na gjuan me nacionalizëm”.

Aleanca Kuqezi

”Nuk flas për ëndrra politike, por për realitete. Deri tani ky ballafaqim nuk ekziston, kur të ekzistojë, do të kem komente për të bërë”, fraza e prerë dedikuar AK-së.

Deklaratat nacionaliste

Astrit Patozi: Nuk mund ta fshehim aspiratën për bashkimin e shqiptarëve. E kemi në Kushtetutë dhe për këtë nuk duhet të na ketë frikë askush. Sigurisht që projekti i bashkimit të shqiptarëve nuk dihet sa mund të zgjasë, por shqiptarët duhet të dinë se ku po shkojnë. Bashkimi i shqiptarëve dhe bashkimi i Shqipërisë do të ndodhë sepse është një proces i natyrshëm dhe ky nuk është një projekt vetëm i shqiptarëve, ashtu sikundër integrimi. Deklaratat e kryeministrit janë koshiencë politike dhe pa hipokrizi dhe nuk janë fare elektorale.

Këtë javë,në konferencë për shtyp kryeministri tha se bashkimi i shqiptarëve ndodh në BE dhe kur erdhi puna e pashaportave, përmendi cështjen e Kosovës ku tha se do të bëhet një marrëveshje. Ka një tërheqje për shkak të raporteve ndërkombëtare?

Astrit Patozi: Unë kam dëgjuar edhe ambasadorët. Nuk duhet të emocionohemi as t’i quajmë të papritura. Atyre u intereson një rajon sa më në paqe dhe sa më stabël, kjo na intereson edhe ne dhe i qendrojmë këtij përcaktimi se projekti i shqiptarëve për bashkim kombëtar nuk shkon kundër. Unë nuk shoh ndonjë diferencë në qendrimet e Berishës. Kur e ka hedhur tezën e pasaportave për të gjithë shqiptarët, ka patur parasysh edhe zhvillimet në Kosovë, rajon dhe pengesa të tjera që mund të dalin. Por cfarë mendojmë ne? Ne do nisim procesin dhe jo thjesht më fjalë. Retorika nuk ka shumë vlerë. Në kontekstin e gjeopolitikës duhet trajtuar më shumë të bësh punë se sa të flasësh. Sot kemi politikanë që bëjnë dhe nuk flasin, kemi nga ata që flasin dhe bëjnë, kemi nga ata që flasin dhe s’bëjnë dhe nga ata që as bëjnë e as flasin, Rama është tek kjo e fundit besoj. Shqiptarët që i duan pasaportat për krenarinë kombëtare dhe nëse vijnë shqiptarët e banojnë në Shqipëri, ku është problemi këtu? Procesi i bashkimit të shqiptarëve është i pandalshëm, ecën. Sot me ritme të ulta, por ecën dhe ne bëjmë detyrat tona.

Retorika nacionaliste hakmarrje për mosmarrjen e statusit?

Astrit Patozi: Statusi është lajm i hidhur, por jo i papritur. Nuk ka njeri të cuditur. Për statusin kanë qenë të përgatitur njerëzit. Edi Rama nuk pati mundësi të bënte më shumë, aq kishte mundësi, aq bëri. Lajmi i mirë është që e ka për herë të fundit. Mundësia e vetme që ne kishim ishte që PS t’i imponohej Edi Ramës që ne të miratonim 3 ligjet dhe statusi ishte i zgjidhur. Kjo nuk ndodhi dhe nuk fajësoj kolegët socialistë sepse shumë prej tyre nuk kanë dashur bllokimin, por sigurisht 6 muaj para zgjedhjeve nuk mund t’u kërkosh atyre braktisjen e kryetarit dhe futjen në zgjedhje të hallakatur. Është radikalizëm politik i Edi Ramës, por them që është për herë të fundit. Ka disa skenarë vitin e ardhshëm, shqiptarët të votojnë shumicën integruese. Nuk është e pamundur, por pak e largët dhe skenarë të tjerë. Por jam i bindur se sado thellë apo ngushtë të humbë Rama, ai nuk do të mund të bllokojë më.

Statusi dhe 3 ligjet

Astrit Patozi: Ligjet nuk do ta bënin Shqipërinë më shumë europiane, por këto 3 ligje ishin një test për të dy palët, që ne po fillojmë dalëngadalë të bëhemi europianë. Edhe rumunët edhe bullgarët nuk kanë qenë më perfekte se c’ështe Shqipëria sot kur kanë kaluar këto etapa. Rama duke patur panikun që 3 ligjet conin në marrjen e statusit dhe qeveria mund ta përdorte për zgjedhjet, zgjodhi bllokimin, radikalizmin politik. Rama i nguli një thikë aspiratës së shqiptarëve për integrimin. Ne festuam 100-vjetorin me gjithë madhështinë e duhur dhe përkujtuam shumë burra të Kombit, Shqiptarët na votuan se ca do bëjmë ne për këtë vend, jo për kujtimin e figurave në këtë 100-vjetor.

Zgjedhjet…

Astrit Patozi: Nëse zgjedhjet dështojnë, atëherë gjithë këto arritje shkojnë në zero dhe kjo as që pritet të ndodhë dhe as ka ndodhur në Shqipëri. Zgjedhjet kanë ardhur duke u përmirësuar në Shqipëri. Në 2005 ka patur problem, ndërsa tani zgjedhjet janë në përmirësim. Por Edi Rama të vetmet zgjedhje që njeh janë ato të 2007 ku fitoi vetë. Pra ky njeri njeh vetëm zgjedhjet që fiton vetë.

A është gati PD të pranojë rotacionin?

Astrit Patozi: PD është gati të njohë cdo rezultat, por kjo nuk do të ndodhë në 2013. Kemi të gjithë bindjen për fitoren. Shqipëria ka 2 alternativa, PD dhe aleatët ose PS dhe aleatët dhe unë besoj që ne jemi me shumë diferencë në raport me rivalët, ndonëse viza nuk do të jetë për shkak të dobësisë së kundërshtarit. Ne mund të marrim një bonus nga fakti i kundërshtarit të dobët. Ne u drejtohemi shqiptarëve dhe u themi, kemi bërë shumë gjatë këtyre 8 vjetëve, por kemi më shumë mundësi për 4 vite të ardhshme.

Qeveria e lodhur?

Astrit Patozi: Ajo që unë mund të them është se mund të ketë parti dhe individë dhe shtresa që janë të lodhur me këtë qeveri, por ajo që shoh unë është një qeveri e motivuar. Jo thjesht për të përfunduar mandatin, por për të shkuar përtej 2013. Kur fola për palën tjetër, edhe fryma disfatiste ndjehet në të gjitha detajet. Ka një njeri që vetë nuk beson tek fitorja. Si mund të besojnë të tjerët kur edhe qendrimet politike janë disfatiste?! Kjo vërehet edhe tek ndryshimet në rregulloren e parlamentit. Kërkohet një cep i ngrohtë për shefin e opozitës në parlament. Ndryshimet kushtetuese propozonin që pakica të merrte pushtetin me prokurorin e gjykatësit, apo ushtria e votës. Flitet për ushtri të votës që nuk ka fituar asnjë luftë në fakt, në një kohë kur nuk ka asnjë kërcënim për votën. Ne do të njohim rezultatin edhe në rast humbjeje.

Ndryshimet në qeveri

Astrit Patozi: PD ka shumë figura që mund të bëjnë jo vetëm ministrin. Por PD në filozofinë e saj, apo po them i mandatuar për të qenë kryeministër nuk ka mentalitetin e ndryshimit të kabinetit si qëllim në vetvete. Duke patur parasysh traditën e keqe 1997-2005 kemi kujtime të hidhura për ndryshimet e ministrave. Kam përshtypjen që ishte një praktikë poshtëruese ku qeveria perceptohej si një bandë që ndan pronën e grabitur. Kjo nuk do të thotë që duhet të ketë ministra të përjeshtshëm, por ka shumë politikanë që mezi presin të bëhen ministra, apo ministra që duhet të bëhen deputetë.

Emër tjetër vec Berishës?

Astrit Patozi: PD ka emra të tjerë, por rregulli është që kryeministër bëhet ai që udhëheq fushatën e fitores. Fitorja në zgjedhje është meritë dhe nuk besoj se do ndodhë apo të mos ndodhë ndonjëherë që Berisha të marrë përgjegjësinë e vet.

Lufta kundër korrupsionit

Astrit Patozi: Misioni është realizuar pjesërisht. PD ka bërë shumë për të luftuar korrupsionin, por nuk ka bërë gjithcka që mund të bënte apo aq sa duhet të bënte. Jemi pararendës me opozitën që deri para 1 viti ka patur mundësi ta vërtetojë këtë. Unë kam një bindje, që lufta ndaj korrupsionit është një proces i pandalshëm që nuk bëhet me fushatë.

Pse duhet të votojnë shqiptarët PD?

Astrit Patozi: Shqiptarët duhet të na votojnë për projektin tonë të ri. Gjatë këtyre 8 viteve kemi dhënë prova që mbajmë fjalën. Ne nuk jemi lodhur, mos na gjykojnë në raport me kundërshtarin tonë politik. Shqiptarët duhet të na votojnë për aq sa kemi bërë dhe për ato që do të bëjmë në katër vitet e ardhshme.

Top Channel