Komuniteti, kërkesa Bashkisë

20/12/2012 00:00

Të rinjtë dhe gratë në minibashkitë  2 ,10 dhe 11 në Tiranë i kërkojnë anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë së Tiranës të marrin masa për të plotësuar nevojat prioritare të këtij komuniteti.

Si një nga politikat e luftës së dhunës ndaj gruas ata theksojnë punësimin e grave mbi 40 vjeç pranë bisnezeve lokale që ofrojnë shërbim në komunitet me ndërmjetësimin e minibashkive në mënyrë që gruaja të mos jetë e varur financiarisht nga bashkëshorti. Lista e kërkesave vijon me infrastrukturën rrugore dhe ndriçimin e rrugëve dytësore si një mjet për të rritur sigurinë ndaj grave dhe vajzave.

“Nga ky vlerësim dolën qartazi problemet që kanë të bëjnë me ngritjen e qendrave multi-funksionale në bashki, adresimi i problemeve ekonomike, mbështetja e personave me aftësi të kufizuar, rregullimi i infrastrukturës dhe ndriçimit, por ajo që vlen të theksohet është adresimi i problemeve ekonomike, nevojave. Gratë dhe të rinjtë me probleme ekonomike duhet të gjejnë mbështetje nga Bashkia e Tiranës dhe kërkojmë me këtë rast që Bashkia të marrë në konsideratë këto nevoja prioritare të komunitetit”, thotë Elona Gjebrea, nga Koalicioni për nxitjen dhe pjesëmarrjen e gruas dhe të rinjve në politikë.

Koalicioni për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë ka bërë këtë vlerësim të nevojave prioritare të grave dhe të rinjve nëpërmjet konsultave me ta dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, duke monitoruar përfaqësimin e barabartë politik dhe vendimmarrës të grave, politikat e dhunës ndaj grave dhe vajzave, përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike, shërbimet sociale, kushtet shëndetësore dhe arsimit të tyre. këto kërkesa i janë  paraqitur Këshillit Bashkiak dhe Bashkisë së Tiranës të listuara me radhë në një letër.

Kërkesat e grave dhe të rinjve:
1) ngritja e qendrave për gratë që trajton nevojat ekonomike deri tek dhuna në çdo minibashki
2) ngritja e qendrave ditore që ofrojnë vafte falas dhe shërbime sociale për personat në nevojë
3) punësimin e grave mbi 40 vjeç pranë bisnezeve lokale me ndërmjetësimin e minibashkive
4) strehimin e grave të pastreha me probleme ekonomike e sociale
5) ndihmë ekonomike për personat me aftësi të kufizuara
6) infrastrukturë rrugore dhe ndriçim të rrugëve dytësore

Top Channel