Hiqet TVSH për makineritë

18/12/2012 00:00

Komisioni i Ekonomisë miratoi një ligj që heq Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe pajisjet përkundrejt disa kushteve.

“Ligji parashikon, që të përfitosh duhet që investimi të jete i një vlerë prej 500 mijë dollarësh, por duke patur parasysh vecanërisht kërkesën e dy sektorëve, atyre që ne i referohemi si fasonë, si dhe agro-biznesit, kjo vlerë është konsideruar zero”, tha zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj.

Por opozita kërkoi që TVSH-ja të hiqet edhe për investimet nën shumën 500 mijë dollarë që nga kjo masë të përfitojë dhe biznesi i vogël.

“Unë i propozoj Komisionit që të mos ketë shumë limit, por investimi të jetë nga një lek, të përfshijë edhe sektorët të cilët sot janë në nevojë të madhe investimesh.Urgjent ta heqim shifrën 500 mijë dollarë që të përfshihet edhe bujqësia”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

Por maxhoranca thotë se kjo do fundoste buxhetin. “Rreth 25-30 për qind është TVSH-ja e vjelur nga asetet kapitale, që i bie nga 300 -400 milionë dollarë  në varësi të performancës. Nëse  po mendojmë se thjesht po heqim diskriminimin dhe t’i krijojmë shtetit një gjobë 400 milionë dollarëshe, kjo është shumë e rëndë”, tha deputeti demokrat Florion Mima.

Opozita thotë se masat e propozuara nga Qeveria janë kopje gjysmake e paketës që ajo ka propozuar për të lehtësuar biznesin. Mimi Kodheli tha se deputetët socialistë do e votonin ligjin vetëm nëse përfshihen të plota propozimet e opozitës.

“Në momentin që ne vlerësojmë që në parim këto amendime që vijnë nga Qeveria nuk prekin në mënyrë të barabartë të gjitha bizneset, ne do të ishim dakord me propozimet që sillen, nëse do të merreshin parasysh propozimet tona dhe këtë e them në parim”, tha Kodheli.

Në fund drafti u miratua me votat e deputetëve demokratë dhe përveç heqjes së TVSH-së për makineritë, ai bën zero edhe TVSH-në për çimenton dhe hekurin që përdoret për ndërtimin e hidrocentraleve.

Top Channel