Policia Bashkiake pa paga

17/12/2012 00:00

Prej tre muajsh Policia Bashkiake në qytetet e Durrësit, Lushnjës,
Fierit, Vlorës, Beratit dhe Lezhës nuk ka marrë pagën mujore për shkak
të mungeses se fondeve.

“Janë bllokuar grantet për bashkitë, duke patur edhe vështirësi në fondin e pagave. Në disa bashki, Policia Bashkiake ka tre muaj pa marrë paga”, thote Valentin Macaj, i Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë.

Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë denoncon dhe mbajtjen e shumave të caktuara në pagën mujore të Policisë së Burgjeve pa dhënë asnjë sqarim krahas vonesave në pagesa, që tashmë janë shndërruar në një veprim rutinë.

“Kemi raste konkrete, që mbajnë ndalesa në pagë në burgun e Lezhës. Njëherë i mbajnë punonjësit 25 mijë lekë të vjetra, njëherë i mbajnë 15 mijë lekë të vjetra. Eshtë kërkuar sqarim dhe nuk është dhënë asnjë lloj shpjegimi, por është thënë që ka urdhër nga lart”, thotë Macaj.

Sindikata e Shërbimeve Policore thotë se Policisë së Burgjeve i mungojnë kushtet minimale të ushtrimit të detyrës si uniforma, trajtimi ushqimor, transporti, kushtet e punës në vendroje dhe ambientet e brendshme të shërbimit.     

Top Channel