PE voton rezolutën për Shqipërinë

13/12/2012 00:00

Parlamenti Europian votoi në seancë plenare rezolutën për Shqipërinë ku bëhet thirrje për dhënien sa më të shpejtë të statusit kandidat, nëse plotësohen 3 kushtet.

Në rezolutë ndër të tjera PE thekson rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër krimit e korrupsionit dhe depolitizimit të administratës publike.

Zgjedhjet e vitit të ardhshëm konsiderohen si një test pjekurie për demokracinë e vendit. Rezolutat e Parlamentit Europian janë këshillimore e nuk kanë fuqi vendimarrëse për zgjerimin e BE-së.

Gjatë debatit për rezolutën në Strasburg, Komisioneri për Zgjerimin mirëpriti raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë.
Megjithë reformat e mundësuara nga një klimë e re pas marrëveshjes politike të vitit 2011, Shtefan Fyle përsëriti keqardhjen për mosplotësimin e kushteve të përcaktuara nga Komisioni.

“Ne e kemi bërë të qartë se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të vijuar progresin në rrugën e integrimit Europian. Fatkeqësisht, udhëheqësit politikë të vendit nuk ishin gjithnjë të aftë të vënë vijimësisht integrimin në krye të axhendave të tyre politike dhe nuk patën gjithnjë vullnetin për të bërë kompromiset e duhura politike për mbështetjen ndërpartiake që kërkojnë dukshëm reformat thelbësore. Kushtet e nevojshme janë ende aty prandaj duhet të vazhdojmë të inkurajojmë miqtë shqiptarë në Qeveri dhe në opozitë që të fokusohen mbi procesin e integrimit europian”, tha Fyle.

Komisioneri përmendi edhe sfidat e shumta me të cilat përballet vendi, veçanërisht në fushën e Shtetit të së Drejtës, si dhe rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Shqipëria duhet të ndërtojë mbi arritjet e deritanishme dhe të forcojë e të ruajë dialogun konstruktiv politik. Kjo është thelbësore që të vijojë të japë rezultate në reforma. Shqipëria duhet gjithashtu të dorëzojë prova të mëtejshme dhe të dëshmojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 përbën një element thelbësor për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë”, theksoi Fyle.

Në përfundim Komisioneri Fule theksoi rëndësinë e ruajtjes nga vendi të politikës konstruktive në rajon, duke nënvizuar për liderët shqiptarë rëndësinë e mesazheve të qarta për promovimin e mardhënieve të mira fqinjësore.

Pergatiti Ernest Bunguri
 

Top Channel