Ligji për inteligjencën e ushtrisë

13/12/2012 00:00

Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës shndërrimin e SHIU-t në Agjenci të Inteligjencës së Ushtrisë.

Projekti, që ka hasur debate të ashpra edhe gjatë diskutimit në komisionin e sigurisë, është kundërshtuar nga opozita, pasi me këto ndryshime i hiqet e drejta Kuvendit për të mbikëqyrur punën e agjencisë.

“Po e bëni për t’i hequr të drejtën qeverisë së nesërme për të kontrolluar veprimtarinë e deritanishme antiligjore të SHIU-t, i cili ka përgjuar opozitën dhe diplomatët dhe është armatosur në mënyrë anti-ligjore”, deklaroi deputeti socialist Taulant Balla.

“Nuk kemi përgjuar, hetimi parlamentar kërkon ligj të posaçëm”, replikoi ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Ministri Imami tha gjithashtu se Shërbimi Informativ i Ushtrisë pëson ndryshime në emërtim dhe strukturë, pasi duhet t’i përshtatet një vendi anëtar të NATO-s.

Në ndryshim nga emërimi i kreut të SHIU-t, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës propozohet nga ministri i Drejtësisë me pëlqimin e kryeministrit, dekretohet nga presidenti dhe i zgjatet mandati në pesë vjet. Ai mund të jetë tani edhe civil, duke i hequr detyrimin për të ardhur nga radhët e ushtarakëve.

Ky zgjerim i kompetencave të kësaj agjencie, që del përtej strukturave të ushtrisë, për opozitën është shqetësuese pasi rrit mundësinë e keqpërdorimit politik. Arben Isaraj e lidhi edhe me një tjetër element ndryshim ligjor të sjellë për miratim në Parlament, atë për përgjimet e telekomunikacionit.

Këto ndryshime, tha ai, shkojnë përkundër lirive dhe të drejtave të njeriut, dobësojnë kompetencën e prokurorisë mbi përgjimet, bëhen kërcënuese, pa harruar dhe faktin se propozimi që në rastin e hetimeve paraprake të ndalohet mundësia e gjykatës që të dhënat e përftuara nga përgjimi parandalues t’i çmojë si të vlefshme për të vërtetuar faktin dhe të vendosë t’i marrë ato si provë.

“Për të mos u përdorur politikisht përgjimet, prokuroria kur të nisë përgjimet duhet të konsultohet me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Drejtësisë për të mos pasur abuzime me përgjimet”, replikoi Genc Pollo, ministër i Inovacionit.

Ndryshimet në ligjin për përgjimet e telekomunikacionit u miratuan gjithashtu vetëm me votat e mazhorancës.

Top Channel