KE, konkluzionet për Shqipërinë

13/12/2012 00:00

Për herë të parë Këshilli i lexoi Parlamentit Europian përfundimet e
vendeve anëtare përpara votimit të rezolutës për Shqipërinë në seancë
plenare. Pas përsëritjes së konkluzioneve, Presidenca qipriote u ndal
gjatë tek testi i zgjedhjeve.

“Ne të gjithë e dimë se shpesh zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë të kontestuara. Zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve në qershor të vitit të ardhshëm do të jetë thelbësor për të dëshmuar angazhimin e të gjitha partive politike shqiptare ndaj reformës zgjedhore. Ky përbën një test thelbësor për mirëfunksionimin e insitucioneve demokratike të vendit”, tha ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou- Marcoullis.

Debati i eurodeputetëve u mbizotërua nga thirrjet për dialog politik, çështja e zgjedhjeve dhe shqetësimi për retorikat nacionaliste.

“Kur zoti Berisha shkoi në Vlorë për të festuar 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar siç ishte krijuar në atë kohë, ai përmendi pesë vende ku jetojnë minoritete shqiptare. Më pas ai u përpoq ta ndryshojë atë deklaratë dhe mendoj se përpjekjet e tij i përkeqësuan edhe më keq gjërat”, tha eurodeputetja greke Marietta Giannakou.

“Parlamenti Europian dhe institucionet europiane duhet të mbajnë qëndrim kundër deklaratave të tilla nacionaliste dhe irredentise, në mënyrë që të promovojnë mardhëniet e mira mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje”, tha Nikolaos Chountis, raportues për Shqipërinë në PE.

“Zgjedhjet janë një shans i madh për të treguar se sa fort janë të rrënjosura vlerat demokratike tek politikanët dhe mekanizmat në vend”, u shpreh Eduard Kukan.

“Pa bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës progresi i deritanishëm s’do të ishte i mundur. Prandaj dëshiroj t’i bëj thirrje miqve shqiptare, si në qeveri dhe në opozitë që të vijojnë në këtë rrugë, pasi pa bashkëpunim nuk do të ketë progres të mëtejshëm në çështjet e përmendura nga presidenca dhe Komisioneri”, tha eurodeputeti çek Libor Rouçek.

Debati i mbrëmjes në seancë plenare për Shqipërinë përfundoi brenda 30 minutash. Rezoluta e Parlamentit Europian e cila i bënte thirrje Këshillit të BEsë t’i jepte Shqipërisë statusin kandidat nëse plotësoheshin kushtet, u votua dy dite pas konkluzioneve të vendeve anëtare

Cornelissen: Shqipëria, viktimë e politikës

Eurodeputetja holandeze Marije Cornelissen fajeson dhe kritikon ashper klasen politike shqiptare, e cila ka nisur qe tani fushaten elektorale dhe ka lënë mënjanë nevojat e vendit dhe axhenden europiane.

Edhe kjo politikane kritikon levizjen e Berishës me deklaratën për dhënenin e pasaportave të gjithë shqiptarëve.

“Kur flitet për Shqipërinë, një prej shqetësimeve tona më të mëdha është gjithnjë klima politike, mungesa e vullnetit mes partive të ndryshme kryesore për të bashkëpunuar. Kjo u duk sikur u përmirësua gjatë vitit të fundit dhe se Parlamenti për pak kohë sikur punoi në rregull, por sot unë nuk jam kaq e sigurtë. Në nëntor, tre ndryshimet e kërkuara të legjislacionit dështuan të kalonin në Parlament për shkak të një lufte politike krejtësisht pa lidhje. Përse? Kryeministri Berisha njoftoi se të gjithë personat me etni shqiptare mund të marrin pasaportën shqiptare, krejtësisht i ndërgjegjshëm se çfarë do të shkaktonte kjo në rajon. Ai është politikan prej një kohë tepër të gjatë për të mos e ditur një gjë të tillë, atëherë përse? Edhe takimi i delegacionit tonë parlamentar që ishtë planifikuar për javën që vjen u anulua në momentin e fundit. Unë e kam gati valixhen dhe mezi po prisja dialogun konstruktiv dhe bashkëpunues me koalicionin qeveritar dhe opozitën. Por qartësisht ata nuk duan. Përse ? Dhe të gjitha këto, përpara një takimi shumë të rëndësishëm të Këshillit, përbënë në thelb një përpjekje të koordinuar për të shkatërruar të gjitha shanset e Shqipërisë për statusin kandidat. Pse dreqin? Mua më duket se fushata për zgjedhjet e ardhshme ka nisur që tani, kaq shpejt, duke mos respektuar nevojat e vendit dhe axhendën europiane. Unë vetë do të doja t’i jepja popullit shqiptar statusin kandidat, por kam frikë se politikanët e zgjedhur prej tyre humbën sërish në betejat e brendshme për pushtet, dhe se kjo nuk do të jetë e mundur deri sa ata ta zgjidhin këtë prioritet. Prandaj ju lutem, zoti Berisha, zoti Rama, në interesin e popullit tuaj. Ju lutem !” tha Cornelissen.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel