Berisha në Bruksel: Rama fajtor

13/12/2012 18:20

Kryeministri Berisha foli për mediat pas samitit të Partive Popullore Evropiane të mbajtur në Bruksel, duke përsëritur akuzat ndaj opozitës për dështimin në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Duke vlerësuar raportin e hartuar nga Komisioni për Shqipërinë, Berisha ka ritheksuar se tre ligjet që kërkoheshin për marrjen e statusit u mbajtën peng nga kreu i opozitës.

“KE ka bërë një raport pozitiv për Shqipërinë. KE kushtëzoi rekomandimin përfundimtar me miratimin e tre ligjeve. Por këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kreu i opozitës”, ka thënë Berisha.

Megjithatë, kreu i qeverisë është shprehur i bindur se në zgjedhjet e ardhshme, të cilat konsiderohen një test jetik për të ardhmen evropiane, shqiptarët do t’i japin opozitës përgjigjen e merituar.

“Shqiptarët kanë të gjithë fuqinë dhe potencialin për të shembur çdo mur. PD është e vendosur të vazhdojë projektin e saj “Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën””, ka thënë Berisha.

Lideri i mazhorancës shqiptare ka shtuar më tej se, ka marrë garanci nga Partitë Popullore Evropiane për shqyrtimin e kësaj situate bllokimi.

Tema kryesore e samitit të PPE është krijimi i Unionit Bankar në kuadër të integrimeve të mëtejshme të eurozonës. Për zgjerimin nuk pritet diskutim nga krerët e shteteve përveç miratimit formal në ditën e dytë të samitit të konkluzioneve të së martës të Këshillit të Ministrave.

Statusi, debate në Kuvend

Në seancën parlamentare të së enjtes, dy partitë e mëdha politike kanë akuzuar njëra-tjetrën për dështimin në marrjen e statusit të vendit kandidat, sikurse kanë bërë edhe më herët.

Në veçanti replika u verifikuan mes kryetarit të komisionit të integrimit Ditmir Bushati dhe kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli.

“Cilat janë provat që ju luftoni korrupsionin në nivele të larta? Çfare keni bërë ju kundër krimit të organizuar? Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton kur ishte në Tiranë tha se krimi përbën rrezik për Shqipërinë. Për kë e tha, për ne në opozitë?”, deklaroi Bushati.

“Ju vetëm gënjeni. Ti s’ke fytyrë për të qenë kryetar i Komisionit të Integrimit. Të isha unë si ty do të kisha dhënë dorëheqjen dhe do kisha ikur në shtëpi”, replikoi Topalli.

Ndërsa deputeti tjetër socialist, Sajmir Tahiri paraqiti disa hipoteza që sipas tij tregojnë përse kryetarja e Kuvendit nuk votoi pro kandidaturës së Adriatik Llallës për prokuror të përgjithshëm.

“Emri lidhet me këshilltaren e saj që bënte korrupsion si këshilltare e Jozefinës duke qenë anëtare e KLD-së dhe pastaj e KQZ-së. Bënte korrupsion me tenderat e Kuvendit dhe zoti Llalla e ka gjetur me shkelje, e ka gjobitur dhe për këtë zonja Topalli nuk e votoi për prokuror të përgjithshëm. Korrupsioni ka emër”, deklaroi Tahiri.

Bregu: Dështimi nga bllokimi i Ramës

Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në një deklaratë për shtyp të mbajtur gjatë paradites akuzoi opozitën, e në veçanti kryetarin e saj, për refuzimin e radhës të statusit të kandidatit për vendin.

“Komisioneri Shtefan Fyle, të cilit opozita i bën vazhdimisht referim, i bëri apel fare të qartë politikës dhe sidomos opozitës, të mos lidhë axhendën evropiane me çështjet që s’kanë lidhje. Të mos vendosë axhendën partiake mbi atë të integrimit evropian të vendit. Statusi u refuzua sërish sepse Rama bllokoi dhe nuk u votuan ligjet me 3/5. E vetmja strategji ku Rama është vetë në pararojë, është ajo e shkatërrimit”, deklaroi Bregu. 

Top Channel